Ferizaj

Shfuqizohet vendimi për kushtëzimin e regjistrimit të veturave

By FerizajPress

October 30, 2020

Kuvendi Komunal i Ferizat shfuqizoi vendimin që kishte të bënte me heqjen e kushtëzimit për pagesën e tatimit në pronë për t’i regjistruar veturat deri në fund të vitit 2021. Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku tha se ky vendim është cilësuar në kundërshtim me ligjin nga niveli qendror.

LDK që ishte propozuese për heqjen e këtij kushtëzimi, fajësoi ekzekutivin që nuk ka bërë përpjekje që ky vendim të realizohet, sikurse  e ka realizuar komuna e Prishtinës.

“Në bazë të kërkesës  për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të komunës të Ministrisë së Financave është konstatuar se vendimi i komunës për këtë vendim është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe si i tillë nuk mund të zbatohet, andaj në bazë të kësaj kërkoj nga ju që ta shfuqizojmë këtë vendim”, tha Ajeti-Sadiku.

“Për shkak të kësaj situate pyeteni komunën e Prishtinës si kanë vepruar ata dhe të veprojmë edhe ne. Mos t’i maltretojmë qytetarët  me prit në rend dhe me u përhap virusi, kjo ka qenë arsyeja pse është ngrit kjo çështje, obligim i juaji mbetet me komuniku me komunën e Prishtinës se si është marrë ai vendim dhe ta marrim edhe ne”, tha Shkëlzen Selmani, LDK.

“Duhet të jeni fer dhe ta pranoni që keni inicu një iniciativë kundërligjore me qëllim të mirë me iu ndihmu qytetarëve, por përderisa udhëhiqet nga partia juaj kjo ministri është dashur të bëhet presion më shumë që të paktën të trajtohemi si Prishtina”, tha Arian Imeri nga PDK-ja.

Një propozim tjetër që u diskutua ishte dhënia në shfrytëzim e një parcele prej 35 metra për 99 vjet për KEDS-in pa asnjë kompensim.

“Ky propozim vendim ka të bëj me rishqyrtimin e  vendimit me numër 106 të marrë në seancën paraprake që ka të bëj me ndarje të parcelës me vendosjen  e trafostacionit në ”Lagjen e Re”. Ministria ka kërkuar që ky vendim mos të jetë ndarje por dhënie në shfrytëzim, po ashtu është kërkuar  të përcaktohet afati dhe është përcaktuar për 99 vjet pa kompensim”, tha drejtori i Pronës Sabri Murseli.

“Nëse lejohet të bëjmë propozim, ne si komunë të përfitojmë  nga kjo dhënie e pronës, shembull KEDS-i me i liru disa pagesa nga ndriçimi publik”, tha Fitore Lipovica nga LVV-ja.

“Nuk mundemi me kërku kompensim nga KEDS-i pasi ai nuk është i obliguar me vendos trafo ose shtylla për ndriçim të qytetarëve tanë dhe nëse ne i kushtëzojmë ata nuk vendosin trafo dhe nuk u ofrojnë shërbime për ndriçim pasi nuk e kanë obligim“, tha Zhavit Zariqi nga AAK-ja.

“Për ne si konsumatorë që e paguajmë energjinë elektrike KEDS-i e ka obligim të na ofroj shërbimet, këtë e ka për detyrë“, tha Xhevat Sallahu nga LVV-ja.

”Kur është formuar KEDS-i e kanë bërë ligjin asisoj që diplomacitë, institucionet qendrore, si dhe ndërmarrjet që furnizojnë me energji, komunat kanë të drejtë me dhënë pronë pa konkurs, këtë duhet me ditë edhe drejtori”, tha Shkelzen Selmani nga LDK-ja.

Në këtë mbledhje drejtoresha e Financave në mënyrë të përgjithshme raportoi  për raportin financiar per periudhën janar-shtator, ku përveç Xhevat Sallahut nga Vetëvendosje i cili kërkoi që në raportet financiare të përfshihen edhe paratë që janë marrë nga përmbaruesit, diskutime të tjera nuk pati.

Në seancën e sotme  Kuvendi Komunal i Ferizajt miratoi propozim vendimin për miratimin e nismës për bashkëpunim ndërkombëtar mes  qytetit të Ferizajt dhe Cedar Falls të SHBA-së, si dhe propozim vendimin për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2021.