Ferizaj

Sherif Frangu përjetësohet në dokumentar

By FerizajPress

April 04, 2017

“Feniksi i pranverës së madhe” është titulluar dokumentari i cili u shfaq sot për nder të 36 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Sherif Frangu.

Neriman Braha, përfaqësues i Shoqatës së të Burgosurve Politik, tha se Sherif Frangu u vra në demonstrata paqësore. Ai tha se Sherifi derdhi gjakun e tij në tokën e Kosovës për të çelur aty një ditë lulet e lirisë.

“Me 3 prill të vitit 1981 në ballë të demonstruesve në Ferizaj  duke brohoritur parullën e famshme Kosova Republikë ra heroikisht Sherif Frangu. Ky djalosh që u vra nga dora vrastare e gjakatare e pushtetit serb, e  derdhi gjakun e tij në tokën e Kosovës për të çelë aty një ditë lulet e lirisë. Sherif Frangu si dhe të gjithë dëshmorët i vranë në demonstrata paqësore, i ndan nga radhët e shumta të demonstruesve të Kosovës, për Kosovën Republikë. Por, në rënien e tyre ata u renditen në radhët e dëshmorëve të kombit tonë”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se me 1, 2 e 3 prill 1981 në të gjithë Kosovën qindra demonstrues kërkuan që pozita e Kosovës të ngritej në nivelin e Republikës, por që kjo kërkesë kishte hasur në reagim të pushtetit serb.

Braha: Me 1, 2 e 3 prill është kërkuar të ngritët pozita e Kosovës

“36 vjet më parë në Prishtinë e gjithandej Kosovës jehonin fuqishëm kërkesat e shqiptarëve për të drejta të barabarta me popujt e tjerë të federatës jugosllave. Ndërsa këto kërkesa përmblidheshin në sloganin e njohur ‘Kosova Republikë’. Me 1, 2 e 3 prill të vitit 1981 në Prishtinë e në gjithë Kosovën qindra demonstrues kërkuan zëshëm dhe publikisht para organeve të pushtetit jugosllav që pozita e Kosovës në federatën jugosllave të ngritet në nivelin e republikës dhe të ishte e barabartë me republikat e tjera të saj. Kjo kërkesë legjitime e popullit shqiptar i cili kishte mbetur padrejtësisht në nën sundimin jugosllav hasi në reagimin  e shfrenuar të pushtetit serbomadh”, tha ai.

Ai tha se demonstruesi kërkuan konform rrethanave ekzistuese që nw Jugosllavi ta kishin Rrepublikën e tyre ashtu siç e kishin popujt e tjerë.

Sipas tij, ‘Kosova Republikë’ nuk ishte parullë boshe, ishte vetëm një shprehje e qartë se ky popull ishte vetëdijesuar për të pasur formën e shtetit të vet si popujt e tjerë.

Ndërsa, Kryetari i shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve, dhe vëllai i heroit Afrim Zhitia, Naim Zhitia, tha se ai nuk ka qenë as marksist, as leninist, as stalinist, por kanë qenë lulëkuqet e Kosovës.

Zhitia: Sherifi që nga vrasja ka qenë dëshmorë, por tani edhe juridikisht

“Sherifi që nga vrasja e tij ka qenë dëshmor dhe është respektuar nga populli i Kosovës, bashkë me shokët e vet. Por, tani është edhe juridikisht nga institucionet e Kosovës njihet si dëshmor i kombit dhe tash e tutje bën pjesë në listën e heronjve të Kosovës. Sot këtu nuk mundem pa e përmendur se disa nga zërat që po ulërojnë se gjoja kanë qenë marksist, leninist, stalinist, këta nuk kanë qenë as marksist, as leninist, as stalinist, por kanë qenë lulëkuqet e Kosovës ashtu siç i quante shteti shqiptarë i kohës”, tha Zhitia.

Ndërsa në emër të familjes foli trashëgimtari i Sherif Frangut, Sherif i ri, i cili falënderoi të gjithë për këtë film dokumentar.

Sherif Frangu u vra me 3 prill 1981,gjatë demonstratave studentore në Ferizaj.