Ferizaj

Shënohet Dita e Spitalit të Ferizajt, bëhen homazhe në varrezat e Dëshmorëve

By FerizajPress

June 15, 2019

Homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit në Ferizaj, për të nderuar jetën, veprën dhe rënien heroike të dëshmorëve në altarin e lirisë, njëherit për të nderuar dhe shënuar ditën e Spitalit të qytetit të Ferizajt.

Pikërisht 20 vite më parë, më 15 qershor, Spitali Ushtarak i Zonës Operative të Nerodimës me 65 të plagosurit civilë e ushtarë të UÇK-së si dhe gjithë personelin mjekësor nga zona e luftës qe vendosur në njërin segment të Shtëpisë së Shëndetit të qytetit të Ferizajt, me qëllim që të shërbente dhe ofronte mjekimin dhe kujdesin ndaj civilëve dhe luftëtarëve të plagosur. Fillimisht ky spital ofronte shërbime dhe operonte me tri repartet: Urgjenca, Gjinekologjia dhe Kirurgjia, në të cilin objekt gjendet edhe sot Spitali i Ferizajt.

“Në kuadër të shënimit të kësaj dite të veçantë të historikut të Spitalit Ushtarak të UÇK-së, qëndruam bashkë me një pjesë të mjekëve të luftës dhe të personelitnmjekësor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së Zonës Operative të Nerodimes, në Jezercin e betejava të luftimeve të ashpra e heroike dhe tejet të rëndësishme të UÇK-së, duke evokuar momente e kujtime nga ditët e luftës së lavdishme të UÇK-së” ka thënë Elmi Reçica , ish epro i lartë i ZO të Nerodimes.