Të hënë në Ferizaj, është shënuar dita e shëndetit oral. Në këtë manifestim të përgatitur merrnin pjesë drejtues të qeverisë lokale, drejtues të QKMF-së, si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Në këtë manifestim kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, u tha të pranishmeve se kjo ditë është shumë e veçante me vet faktin se po flitet për shëndetin oral.
“Hulumtimet që janë bërë pas luftës në Ferizaj për shëndetin oral, kanë treguar se një numër mjaft i madh fëmijësh, vuajnë nga dëmtimi i dhëmbëve, për shkak të sëmundjeve të rëndomta dhe për shkak të mungesës së kujdesit të mjaftueshëm. Prandaj, shtrohet nevoja që mjekësia familjare t’i shtojë aktivitete në terren për kontrollimin më të shpeshtë edhe parandalimin e sëmundjeve të gojës. Besoj se me një mobilizim dhe organizmin të duhur, mund të bëhen kontrolla të rregullta nëpër shkolla, të mbahen ligjërata nga ekspertët e shëndetit oral, si dhe të bëhen ndërhyrje të nevojshme tek fëmijët që kanë probleme me dhëmbët”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ai tutje ka thënë se vitin e kaluar Komuna e Ferizajt në bashkëpunim edhe me QKMF-në kanë vendosur edhe karriga stomatologjike nëpër disa shkolle, vetëm e vetëm që të tregohet një kujdes më i madh sa i përket shëndetit oral.
“Do të bëjmë përpjekje edhe më tej që t’u ofrojmë më shumë mundësi fëmijëve dhe të rinjve tanë në këtë aspekt. Por kujdesin kryesor duhet ta kenë vetë fëmijët dhe prindërit e tyre, si dhe shkollat, ku duhet të ketë këshilla dhe ligjërata të shpeshta në këtë temë”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
E nga ana tjetër shefi i sektorit të stomatologjisë Muhamet Ramadani, ka folur për sukseset e këtij sektori, me ç’rast ka falënderuar edhe të parin e Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa për përkrahjen e pa rezervë të këtij sektori.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Burim Karameta, profesor dr. Adil Raka si dhe mysafirë të tjerë të pranishëm.
Në fund të këtij manifestimi stomatologë të ndryshëm janë nderuar edhe me mirënjohje në shenje falënderimi për kontributin e dhënë. U bë e ditur se gjatë gjithë kësaj jave do të zhvillohen aktivitete të shumta për rëndësinë e shëndetit oral.