Dita e dëshmorëve të Ferizajt, 28 Shtatori, e cila lidhet me betejën më të lavdishme të UÇK-së së kësaj ane e njohur edhe si “Epopeja e Jezercit”, është shënuar me një varg manifestimesh. Fillimisht qytetarë të shumtë ferizajas në orët e paradites marshuan në drejtim të varrezave të dëshmorëve të UÇK-së, duke i nderuar dhe përkujtuar ata, të cilët me sakrificën dhe gjakun e tyre të derdhur bënë që ne sot të frymojmë lirshëm dhe t’i gëzohemi lirisë
Ky lum i gjatë njerëzish, në ballë të të cilit ishin drejtues të pushtetit lokal, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Gafurr Bytyçi, drejtorë komunal dhe anëtarë të kabinetit qeveritar
Në kuadër të shënimit të kësaj date është bërë edhe përurimi i pikës 6 të UÇK-së në Jezerc në kuadër të parkut memorial të UÇK-së.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se në këtë dite po nderohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Sa i përket Parkut Memorial të UÇK-së në Jezerc, Aliu tha se do të shërbejë që gjeneratat e reja të mos e harrojnë të kaluarën e UÇK-së.
I pari i Ferizajt tha se edhe pas 22 vitesh asgjë nuk e ka zbehur dhe nuk do ta zbehë luftën heroike të UÇK-së.
Ndërsa, Luan Jahiri nga OVL e UÇK-së, tha se në Parkun Memorial të UÇK-së në Jezerc po shënohet historia e luftës së UÇK-së.
Përurimin e pikës 6 të UÇK-së në Jezerc në kuadër të Parkut Memorial të UÇK-së e quan ngjarje të jashtëzakonshme Daut Ilazi, zëvendëskomandant në Zonën Operative të Nerodimes.
“Sot 22 vjet më parë këtu është zhvilluar një ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së. Jemi tek pika 6 e UÇK-së në Zonën e Nerodimes, këtu janë zhvilluar luftime që nga 20 shtatori deri me 28 shtator, me 28 ka qenë kulminacioni i ofensivës serbe, ku në këtë betejë kanë rënë dëshmorë të UÇK-së të cilët me gjakun e tyre janë bërë themel i lirisë të cilën po e gëzojmë sot. Ky përvjetor është në një mënyrë më i rëndësishëm po shoh që Komuna e Ferizajt ka investuar në rregullimin e pozicioneve të UÇK-së, me rregullimin e parkut për dëshmorët dhe lavdia iu takon dëshmorëve…Unë kam pasur fatin të jem në mesin e bashkëluftëtarëve të mijë këtu në pikën 6 edhe unë kam qenë i plagosur”, tha ai.
Në Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj janë bërë edhe homazhe tek varrezat e Dëshmorëve ne Ferizaj si dhe është mbajtur maratona e vrapimit 42 km – organizuar nga OVL – UÇK dega Ferizaj – pjesëmarrës veteranët dhe ushtarët e FSK-së.
Ndryshe kjo ditë ndërlidhet me betejën e njohur si “Epopeja e Jezercit”, që u zhvillua në fundin e shtatorit të vitit 1998, me ç ‘rast në këtë vend ranë me armë në dorë luftëtarët e UÇK-së, Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu.