Ferizajasit me një sërë manifestimesh kanë shënuar 17-vjetorin e çlirimit, duke e kthyer e kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re në liri.
Fillimisht, krerët e pushtetit lokal, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, deputetë, nxënës, qytetarë e tjerë janë përkulur para shtatoreve të komandantëve të rënë, ndërsa ceremonia e përvitshme e vendosjes së kurorave me lule, në nderim të gjakut të derdhur për liri është zhvilluar në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.
Pos kësaj, me një seancë të mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës është përkujtuar kjo ditë, e cila bashkë me lirinë e gjakuar ndër vite, solli ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës.
Hapjen e kësaj akademie solemne e bëri kryesuesi i Kuvendit të Komunës Faruk Guri ku foli për 12 qershorin si datë historike të Kosovës.
Ndërkaq kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se sot jemi në njërën nga festat më të mëdha të Ferizajt e të Kosovës, në 17-vjetorin e çlirimit nga errësira e robërisë së gjatë e të rëndë.
“17 vjet më parë, iu dha grushti i fundit një epoke vuajtjesh të papara, një epoke të mizorive të panumërta që ishin ushtruar me dekada e shekuj mbi popullin tonë. U hap një kaptinë e re e epokës së lirisë, si sfondi ku do të mund të shfaqim lirisht mundësitë dhe aftësitë tona krijuese për ndërtimin e jetës sonë, mirëqenies dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. “Para luftës” dhe “Pas luftës”, janë dy togfjalësha shumë të përdorur viteve të fundit, me të cilët banorët e Ferizajt dhe të Kosovës, shënojnë kohën e ngjarjeve të tyre personale, familjare e shoqërore. Sepse 12 qershori 1999, shënon kufirin midis dy kohëve: kohës së robërisë, por edhe të përpjekjeve mbinjerëzore, flijimeve të panumërta për këputjen e vargojve të saj, dhe kohën e lirisë, e cila erdhi si kurorë e këtyre përpjekjeve dhe sakrificave shekullore, të mbështetura edhe nga vendet tjera demokratike. Prandaj, sot edhe një herë u bëjmë homazhe të gjithë atyre bijve e bijave tona, që u flijuan në themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës. Sepse liria, shteti i pavarur dhe demokracia, janë parakushtet për ndërtimin e jetës së dinjitetshme dhe për zhvillimin normal të një shoqërie”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se sot duhet të kujtojmë dhe t’u shprehim edhe një herë mirënjohjen e thellë të gjitha atyre shteteve demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na mbështetën më 1999 në mënyrë të paparë deri atëherë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se si popull dhe vend i vogël, nuk kishim mundësi të çliroheshim të vetëm, pa ndihmën e madhe të miqve tanë. Prandaj, u detyrohemi mirënjohje të përjetshme dhe jo vetëm kaq. Kosova me luftën dhe me fitoren e vitit 1999, përfundimisht është rreshtuar edhe politikisht, edhe kulturalisht drejt Perëndimit, në kuptimin e mendësisë, qytetërimit dhe vlerave njerëzore. Prandaj, populli i Ferizajt dhe i Kosovës, ka përqafuar pa rezervë zhvillimin demokratik sipas modelit perëndimor, duke vënë në themelin e jetës shoqërore të drejtat e njeriut, shtetin ligjor, demokracinë liberale, ekonominë e tregut etj”, ka nënvizuar Svarqa.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa me tej është ndalur edhe tek zhvillimi i vendit.
“Ne si pushtet lokal, po bëjmë përpjekje me të gjitha forcat tona, që të krijojmë kushte për t’i dhënë kuptim sa më përmbajtjesor lirisë dhe zhvillimit të vendit tonë, duke realizuar me përpikëri planet e punës, ndërtimin e infrastrukturës sa më funksionale rrugore, duke siguruar hapësira më të mëdha e më bashkëkohore për nxënësit e shkollave tona, duke ngritur cilësinë e shërbimeve komunale për qytetarët, duke ngritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore për ferizajasit dhe banorët e komunave fqinje, duke mbështetur ngritjen cilësore të veprimtarive kulturore, sportive etj. Përpjekjet tona kanë qenë dhe janë të përqendruara për një qeverisje të drejtë e të pakorruptuar, duke përdorur me racionalitet mundësitë buxhetore investive. Po bëhen përpjekje që me një menaxhim korrekt, duke kërkuar përgjegjësi në zbatimin e detyrave të gjithë nëpunësve të institucioneve publike, të vazhdohet ndërtimi i një qeverisjeje, që u shërben mirë qytetarëve dhe i plotëson, me aq sa është e mundur, kërkesat dhe nevojat e tyre. Po asfaltohen rrugë, po ndërtohen ujësjellës e kanalizime, po ndërtohen çerdhe e ambulanca. Bizneseve të vendit dhe atyre të huaja po u bëhen vazhdimisht oferta dhe po u krijohen kushte për të investuar në komunën tonë. Po mbahen kontakte të shpeshta me kompani të huaja, të interesuara për të investuar në Ferizaj. Tashmë ndodhemi para fillimit të investimeve të papara në Komunën e Ferizajt, të cilat kanë të bëjnë me rrjetin rrugor, me hekurudhën, me spitalin, me furnizimin me ujë, me trajtimin e mbeturinave etj. Brenda pak vitesh, Ferizaj do të ketë hyrje-daljet me katër korsi në të gjitha drejtimet, të zgjidhurproblemin e hekurudhës, spitalin e ri rajonal, ndërtesën e re të institutit të shëndetësisë publike dhe shumë objekte për nevojat e arsimit, trajtimit human të popullatës në nevojë, kushte më të mira për arsimimin e gjeneratave të reja e kështu me radhë”, tha Svarqa.
Kryetari Svarqa më tutje tha se asgjë nuk do ta ketë vlerën e vërtetë, nëse tek ne nuk mbizotëron prirja pozitive për ta mbështetur njëri-tjetrin, për të përkrahur përpjekjet drejt zhvillimit e përparimit të përgjithshëm ekonomik, shoqëror, kulturor, shëndetësor, arsimor e sportiv, pavarësisht orientimeve dhe bindjeve politike.
“Ne nuk mund të ecim përpara nëse për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike, në vend të ndihmës, i kultivojmë pengesat, inatet, mosdurimet, deri te sabotimet e projekteve të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, për shkak se dikush nuk dëshiron që sukseset të arrihen në kohën e pushtetit të një partie, apo të një tjetre. Zhvillimi ekonomik, përmirësimi i kushteve në shëndetësi, në arsim, në kulturë e sport, ngritja e mirëqenies së përgjithshme, infrastruktura funksionale, furnizimi me ujë e veprimtaritë ngjashme, nuk do të duhej të kenë ngjyrime partiake, sepse u takojnë të gjithë qytetarëve, pa dallime të asnjë lloji. Ndaj, duke besuar në mbështetjen e të gjithë qytetarëve të komunës së Ferizajt për t’i përmirësuar edhe më tej kushtet e përgjithshme të jetesës; duke shpresuar në korrektësinë e forcave politike, për të mbështetur të gjitha proceset dhe projektet zhvillimore që e ngrisin standardin jetësor të popullatës së Ferizajt e rrethinës, të gjithë qytetarëve ua uroj Ditën e Çlirimit, shëndet e suksese”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe Nazmi Krasniqi në emër të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Ai ka përshkruar rrugëtimin e bërë drejt lirisë të gjithë atyre që i dolën në ballë armikut për ta ndalë gjenocidin e hequr litarin nga gryka dhe për t’i dhënë një kah tjetër jetës.
“Sakrificat e mëdha i bëjnë njerëzit e mëdhenj dhe këta nuk i munguan popullit. Bijtë dhe bijat më të mira, njerëzit më të devotshëm iu bashkuan flamurit dhe idealit të lirisë, u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe ranë për aktin më sublim, në altarin e lirisë vetëm që Kosova të jetë e lirë dhe me aspiratën legjitime të bashkimit kombëtar”, ka thënë Krasniqi.
Pas seancës solemne është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga kori i qytetit nën dirigjimin e Lindita Isufit, si dhe këngëtarë të tjerë ferizajas.