Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, sot në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, u shënua ngjarja kombëtare për të nderuar datat historike të rëndësishme të kombit shqiptar. Ngjarja u organizua për nder të festave të Nëntorit: Ditën e Flamurit të Kombit Shqiptar, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Daljen Publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj Prof.Dr.Agron Bajraktari, në fjalën e tij hyrëse, shpalosi një kronologji të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të thellë në historinë tonë. Duke filluar nga lufta e Skënderbeut dhe deri te lufta e fundit në Kosovë, rektori paraqiti me pasion kthesat kryesore të rrugës së lirisë dhe pavarësisë.
Dy sallat e reja të promovuara gjatë kësaj ngjarjeje, të quajtura “Komandanti Legjendar” dhe “Kalorësi i Lirisë” u shndërruan në hapësira që do të shpalosin kujtimet dhe lavdimin e atyre që kontribuuan në përcaktimin e identiteti shqiptar dhe rrugën drejt lirisë.
Fjalët e tjera nga stafi akademik i universitetit përshkuan përvojën dhe angazhimin e tyre personal në luftën e fundit në Kosovë. Nëpërmjet narrativave të tyre të ndjera dhe emocionuese, ata ndanë me të pranishmit vlerat dhe frymën e solidaritetit, që gjithmonë ka udhëhequr shqiptarët në momente kritike të historisë së tyre.
Kjo ngjarje, e cila tani është një traditë vjetore e Universitetit, synon të ruaj kujtesën dhe respektin ndaj ngjarjeve që kanë formuar dhe forcuar identitetin tonë kombëtar.
Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i uron të gjithëve festat e Nëntorit!