Lajme

SHBA-të vendosin afat për finalen Kosovë-Serbi, në dhjetor pritet të rinisë dialogu

By FerizajPress

August 25, 2019

Vera e vitit 2020 është afati kohor që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për një gjë të tillë shkruan sot gazeta serbe ‘Blic’, në një tekst ku flitet për involvimin e Shtëpisë së Bardhë në gjetjen e një zgjidhje për problemin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Autoritetet aktuale që drejtojnë SHBA-të mund të insistojnë në zgjidhje, jo vetëm se një gjë e tillë është e rëndësishme për Beogradin dhe Prishtinën, por që nënshkrimi i një marrëveshje mund të jetë një plus për politikën e jashtme të SHBA-së, përpara zgjedhjeve presidenciale në të cilat Donald Trump do të garoj përsëri”, shkruan Blic, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë në këtë tekst janë listuar disa prej problemeve të cilat pengojnë vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit këtë vit.

Si kohë e përshtatshme për rikthim në dialog, po shihet muaji dhjetor, gjë për të cilën ka folur edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, pas kthimit nga Washingtoni dhe takimit me Sekretarin Amerikan, Mike Pompeo.

Zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor të këtij viti, dhe vonesat që mund të shkaktohen deri në krijimin e një qeverie të re, është një prej barrierave të para që pengon rikthimin e shpejtë në dialog.

Përveç zgjedhjeve, çështja e taksës është një problem i cili ka mbetur peng, dhe pritet të shihet se a do të pezullohet një vendim i tillë pas krijimit të një qeverie të re. SHBA-të dhe BE-ja kanë kërkuar vazhdimisht pezullimin e një vendimi të tillë.

Anash këtyre çështjeve të brendshme të Kosovës, si vonesë për rikthimin në dialog po shihen edhe zgjedhjet dhe konsolidimi i institucioneve të Bashkimit Evropian.  Përveç kësaj “Bregzit” po shihet si një problem shumë i madh i cili tërheq vëmendjen e BE-së nga Ballkani Perëndimor.

Ndërkohë ‘Blic’ përmend edhe pushimet e fundi vitit, të cilat mund të jenë një pengesë tjetër për rikthimin e shpejtë në dialog.