Lajme

SHBA-të premtojnë mbështetje në fuqizimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit

By FerizajPress

April 08, 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane, Hoyt Yee.

Sipas një njoftimi, gjatë takimit u bisedua për progresin në Kosovë dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për të arriturat e deritashme, duke theksuar fokusimin e plotë të Qeverisë në zhvillimin ekonomik e social, si dhe në proceset integruese euroatlantike”.

Duke shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme amerikane, sipas njoftimit, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për thellimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit me SHBA-të.

“Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, foli për avancimin e proceseve integruese evropiane, duke veçuar rëndësinë e hyrjes në fuqi të MSA-së dhe pritjet që BE së shpejti të marr vendim për liberalizmin e vizave për kosovarët”.

Po sipas njoftimit, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane, Hoyt Yee, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari Yee, po ashtu, shprehu mbështetjen e SHBA-ve në fuqizimin e mëtejshëm të shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet aktuale politike dhe nevojën që vetëm përmes dialogut institucional të adresohet çdo shqetësim dhe temë aktuale politike. Kryeministri Mustafa dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Yee kanë biseduar edhe për vendimin e agjencisë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për të përzgjedhur Kosovën, si një dëshmi e partneritetit dhe përkrahjes së SHBA-ve për përparimin afatgjatë të Kosovës”, përfundohet në njoftim