Josinqeriteti politik i partnerëve të koalicionit
Shkruan: Nehat Mustafa
PDK është bartëse e këtij koalicioni dhe së këndejmi vendosja e takses ka qenë meritë parasegjithash e kësaj partie (pavarësisht se kush e ka propozuar), për faktin se është partia më e madhe qeverisëse.
Për mendimin tim, vendosja e takses ka qenë një nga vendimet më të mira që ka ndërmarrë ndonjë Qeveri e Kosovës përballë Serbisë dhe nga vendimet e rralla të përkrahura edhe nga opozita. Disa muaj pas, tanimë jemi në një momentum tjetër politik ku kërkohet tërheqja e takses apo suspendimi i saj për një kohë të caktuar. Kjo kërkesë ndoshta edhe nuk do përbente ndonjë problem të madh sikur të ishte kërkesë vetëm e faktorit të brendshëm politik. Por, kjo kërkesë po shtrohet në vazhdimësi nga institucionet qeverisëse të shtetit më me ndikim në botë, respektivisht garantuesit të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Pra, kjo kërkesë po përseritet vazhdimisht nga SHBA dhe rrjedhimisht askush nuk ka të drejte të rrezikojë miqësinë me SHBA, vetem e vetem për t’iu qëndruar besnik fjalëve të thëna mbase edhe në eufori ( sa herë që fjalët e fundit thuhen të parat, atëhere prodhohen vetëm pasoja). Maksima se “burri flet vetëm njëherë” nuk është maksimë që nënkupton betonim qëndrimesh edhe atëhere kur rrjedhat dhe interesat politike të vendit e kërkojnë të kundërtën. Kjo nuk është burrëri, përkundrazi.
Taksa tanimë ka prodhuar efektin e saj politik dhe ekonomik. Një kampanjë vetëdijësimi për bojkotimin e mallrave serbe sigurisht që do jepte rezultate edhe më të mëdha se vet mbajtja e taksës, veçanërisht kur heqjen e saj e kërkojnë SHBA dhe shtetet tjera mike të Kosoves.
Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se nuk është në situatë që ta testojë durimin e qeverisë amerikane dhe shteteve tjera mike. Kosova dhe liderët e saj janë shumë të vegjël për ta detyruar administratēn amerikane për të shkruar letra pafund. Sē këndejmi, sa më shpejt që e kuptojnë këtë, aq më mirē do jetē për ta dhe vet shtetin e Kosovës.
Në gjithë këtë situatë të krijuar vërehet një josinqeritet mes partnerëve të koalicionit. Përderisa dy partnerët kryesorë (PDK dhe AAK) së paku publikisht po e trajtojnë si temë ( edhe pse me hile), dy partnerët e vegjël (NISMA dhe AKR) po e shfrytēzojnë këtë shpërqëndrim të vëmendjes për të gllabëruar sa mē shumë pushtet në institucionet ku ato drejtojnë.
Cili do që të jetē rezultati, akteri kryesor në gjithë këtë situatë është PDK si forca kryesore e koalicionit qeverisēs. Prandaj, PDK dhe lideri i saj duhet të marrin përgjegjēsinē për hejqen e taksës ( parasegjithash për të dëshmuar dhe rikonfirmuar miqësinë me SHBA). Duhet ndaluar paraqitjet “spektakulare” të ministrave, deputetëve e zyrtarëve të tjerë të kësaj partie, gjoja për ta arsyetuar heqjen e taksës. Lideri i PDK- së Z.Kadri Veseli mund ta zgjidhë vet këtë problem, jo përmes deklaratave, por duke i vendosur një datë të caktuar Kryeminsitrit Haradinaj se deri kur pret vendimin për heqjen e taksës. Z.Veseli e ka këtë të drejtë , sepse përfaqēson forcēn mē tē madhe politike të kësaj qeverie. Në rast tē mosrespektimit eventual të kësaj kërkese, atëhere PDK duhet dalur nga qeverisja. Vetēm një veprim i tillë ultimativ do të krijonte mundësinë e zgjidhjes së kësaj problematike e cila nëse nuk ndërpritet mund të jetë me pasoja të mëdha politike pēr shtetin e Kosovës.
Miqësia me SHBA-të mbetet interes kombëtar!
Ps: Edhe sot u publikuan njoftime për anulime të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në programe të ndryshme ndērkombētare, veçanërisht ato të organizuara apo sponzorizuara nga SHBA.