Lajme

Serbisë po i pengon pankarta e Mushtishtit, që shpërfaq fytyrën e saj në luftën e fundit në Kosovë

By FerizajPress

August 22, 2016

Një pankartë e vendosur në fshatin Mushtisht të Suharekës, i ka çuar peshë serbët, duke e cilësuar si provokim.

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me anë të një komunikate ka kërkuar nga institucionet që i quan të përkohshme, që “urgjentisht ta heq bilbordin e vendosur në Mushtisht të Suharekës ,i cili drejtpërdrejt përhap urrejtje ndër etnike dhe i frikëson serbët që kanë shprehur gatishmëri të kthehen në këtë fshat”, transmeton agjencia e lajmeve Tanjug.

Në këtë pankartë ka fotografi të të masakruarve, viktima shqiptare të regjimit serb. Në të shkruan: “Kjo është ajo çka lanë pas vetes kur u larguan nga Mushtishti serbët lokalë”.

Ndërsa, e ashtuquajtura Zyrë e Kosovës në Qeverinë e Serbisë e cila Kosovën e quan “Kosovë dhe Metohi”, shpreson se “institucionet e përkohshme të Kosovës”, siç i quan organet e këtij shteti, do të marrin të gjitha masat që më 28 gusht t’u sigurojnë serbëve shënimin e një feste fetare!