Lajme

Serbia s’mundet në BE pa i përmbushur tri kushtet nga Kroacia

By FerizajPress

June 29, 2016

Kroacia vazhdon të kërkojë nga Serbia përmbushjen e tri kushteve, nëse dëshiron aderimin në BE. Ato janë: jurisprudenca, siguria dhe të drejtat themelore.

“Sa na përket neve, asgjë nuk ka ndryshuar. Ne kërkojmë që Serbia të ketë po ato kushtëzime që i ka pasur Kroacia dhe anëtaret e tjera”, i ka thënë Al Jazires kryeministri kroat në mandatin teknik, Tihomir Oreshkoviq.

“Ato që kërkon Kroacia nga Serbia si kusht për hapjen e Kapitullit 23, i kërkojnë edhe vendet e tjera anëtare të BE-së” citohet të ketë thënë Oreshkoviq, transmeton Koha.net.

Fjala është për kompetencat rreth gjykimeve për krime lufte, çështja e mbrojtjes së pakicave dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës.

Kryesimi holandez i BE-së kishte dashur që deri në fund të mandatit, që përfundon të enjten në mesnatë, të hapë me Serbinë kapitujt 23 e 24. Mirëpo nuk ka një pajtim i përbashkët në BE për kapitullin 23 për çështjet e jurisprudencës dhe të të drejtave themelore.