Lajme

Serbia me ‘listë të kuqe’ kundër qytetarëve të Luginës

By FerizajPress

August 12, 2018

Nuk është vetëm Akademik Hivzi Islami që është ndaluar të hyjë në territorin e Serbisë. Siç duket Serbia po praktikon një masë të tillë edhe për qytetarë të tjerë që janë nga Lugina e Preshevës, e që në Kosovë punojnë si zyrtar të lartë të institucioneve. Xhemail Halili, drejtor i prokurimit në Kuvendin e Kosovës, thotë se një javë më parë ai nuk u lejua të shkonte në vendlindjen e tij në Preshevë, me arsyetimin se emri i tij është në një listë të autoritetet serbe që e quajnë të “kuqe”.

Ai thotë se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe dy kolegëve të tij të cilët janë nga Lugina e Preshevës, por që jetojnë në Prishtinë, dhe se nuk kanë marrë asnjë shpjegim deri më tani.

Nëse Bashkimi Evropian nuk ndërhynë për të obliguar Serbinë të respektojë marrëveshjet të cilat vet i ka nënshkruar, atëherë Kosova do të funksionoj mbi bazën e reciprocitetit. Kështu tha për RTK-në përmes telefonit Jetlir Zyberaj, këshilltari i zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli.

Sipas analistit Azem Vllasi, Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke i përmendur edhe rastet kur nga pala serbe janë ngritur aktakuza për qytetarë të Republikës të Kosovës.

Ndërsa për analistin Ymer Mushkolaj problemi qëndron te marrëveshja e nënshkruar me Serbinë, një marrëveshje që sipas tij nuk është në favor të Kosovës, sepse është dashur që në fillim të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Edhe pse e cilëson të vonshëm si proces, Mushkolaj thotë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do t`i  kishte efektet e veta, dhe do t`i dërgonte mesazh Serbisë që nuk mund t`i trajtojë kështu qytetarët kosovarë.

Ndryshe dje, Akademik Hivzi Islamit, i lindur në Letovicë të Bujanocit, i është refuzuar dy herë shkuarja në vendlindje. Islamit nuk iu lejua të shkojë në Preshevë edhe më 8 gusht, ndërsa familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të – u lejuan. Policia kufitare në të dy rastet nuk ka dhënë ndonjë shpjegim.