Lajme

Serbët në veri, kundër regjistrimit të popullsisë

By FerizajPress

July 19, 2016

Serbët e veriut të Mitrovicës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë nëse atë e organizojnë institucionet kosovare.

Ata nuk besojnë se ky regjistrim do të organizohet deri në fund të këtij viti dhe synojnë që t’i inkurajojnë përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës që të mos lejojnë të organizohet regjistrimi i popullatës.

Kështu kanë treguar rezultatet e një ankete me qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës, të cilën e ka realizuar portali “Kossev” në veri të Mitrovicës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sipas këtij portali, qytetarët e veriut të Mitrovicës kryesisht nuk kanë qenë shumë të disponuar të sqarohen rreth regjistrimit të popullatës në veri të Kosovës, të cilin tashmë e kanë paralajmëruar institucionet kosovare.

Rezultatet e anketës me rreth 200 anketues, sipas “Kossev”-it, kanë treguar se 55 për qind e tyre mendojnë se regjistrimi i popullatës nga institucionet e Kosovës nuk duhet të organizohet, ndërsa rreth 30 për qind janë shprehur pro organizimit të regjistrimit.

Rreth 5 për qind e anketuesve kanë kërkuar që të mos pranohen institucionet e Prishtinës, gjegjësisht se duhet të bëhet një regjistrim i popullatës serbe në veri nëpërmes të të ashtuquajturës “Republikë e Pavarur e Ibrit” në veri.