Lajme

Serbët në Berlin provojnë ta heqin taksën e Kosovës ndaj Serbisë

By FerizajPress

June 06, 2019

Anëtarët e delegacionit të Listës Serbe kanë diskutuar të mërkurën në Berlin me drejtorin e Zyrës për Evropën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Helbach në lidhje me gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Siç bën të ditur Lista Serbe ata “i informuan bashkëbiseduesit mbi statusin dhe pozitën e popullit serb në Kosovë” dhe mbi siç thuhet “shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të serbëve”, dhe “tensionet si rezultat i një vendimi të autoriteteve në Prishtinë”.

Gjatë takimit ata vunë në theks edhe nevojën për të vazhduar dialogun dhe për të hequr pengesat siç është taksa prej 100 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për të dhënë një shans për zgjidhjen e problemit, thuhet më tej në njoftimin e LS-së.

Në takim u diskutua për aksionin e fundit të policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Delegacioni serb që përbëhet nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nëkryetari Dalibor Jevtiq dhe Bratisllav Nikolliq dhe Sasha Millosavlljeviq do të vazhdojë takimet në kryeqyendrën gjermane me këshilltarin e kancelares gjermane Angela Merkel, Mathias Lutenberg si dhe zyrtarë të tjerë në Bundestag.