Lajme

Serbët e Anamoravës të ‘shqetësuar’: Shqiptarët nuk po na i blejnë vezët

By FerizajPress

February 08, 2017

Pas tensioneve të fundit në mes Kosovës dhe Serbisë, serbi nga Gjilani, Mladen Stankoviq thotë se ndihet i shqetësuar, pasi sipas tij kur ngritën tensionet ai sheh helikopterë të KFOR-it dhe kamionë të ushtrisë, transmeton lajmi.net.

“Këto gjëra më bëjnë të përjetoj vitin 1999 dhe më kujtojnë trazirat e 17 marsit 2004, frika është futur te serbët se një ngjarje e tillë do ndodhë sërish”, ka thënë Stankoviq.

Ai shton se patrullimet e Policisë së Kosovës me automjete të blinduara janë shqetësim i madh për të.

“Helikopterët e KFOR-it na silleshin për ditë. Në rrugë patrullonin policia me automjete te mëdha të cilat më parë janë përdorur nga ROSU. Shpjegimi i tyre ishte se nuk kanë mjaftueshëm makina të vogla policie dhe duhet t’i përdornin këto makina për të mbajtur rendin”, ka thënë ai.

Tutje, ai tregon se si gjatë kësaj periudhe shqiptarët ndryshojnë qëndrim ndaj serbëve.

“Njerëzit shmangin lëvizjet. Ju e ndjeni se diçka po ndodhë, fqinjët shqiptarë në ato ditë ndryshojnë. As vezët nuk i blejnë në treg”, shpjegon banori i Gjilanit./Lajmi.net/