Lajme

Selimi: Ndihemi të rrezikuar nga Specialja!

By FerizajPress

February 23, 2017

Lëvizja “Vetëvendosje” do ta kundërshtojë deri në zhbërje Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe aktivitetet në këtë drejtim do të koordinohen edhe me subjektet e tjera opozitare për të mos e lejuar kalimin e kësaj Marrëveshjeje në Kuvend.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” deputeti i subjektit më të madh opozitar, Rexhep Selimi, duke shtuar se nuk e përjashtojnë as mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend për të mos e lejuar kalimin e Demarkacionit.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë kësaj interviste për gazetën “Zeri” ka folur edhe për mundësinë e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale, duke thënë se personalisht asnjëherë nuk është ndier i rrezikuar nga drejtësia, por, siç ka thënë ai, nga padrejtësia ndihet i rrezikuar edhe tani.

“Përderisa Gjykata Speciale është e padrejtë, do të duheshit të ndiheshit të rrezikuar edhe ju, edhe të gjithë qytetarët e Kosovë, në veçanti kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës. Po të kishte drejtësi, unë nuk do të ndihesha i rrezikuar. Nga padrejtësia rreziku vjen për të gjithë”, ka deklaruar Selimi./Zeri.info/