Lajme

Selami: Jam pro reformës në drejtësi edhe nëse PD nuk e voton

By FerizajPress

July 19, 2016

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami ka deklaruar se do të votojë pro draftit të ri të reformës në drejtësi edhe nëse Partia Demokratike nuk e bën një gjë të tillë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Selami është shprehur se do të pranojë propozimin e Nuland, ndërsa i bën thirrje kreut të demokratëve, Lulzim Basha, që të pranojë edhe ai propozimin e saj, pasi vota për reformën është një votë për Shqipërinë dhe kundër korrupsionit.

“Deklaroj votën time pro reformës në drejtësi edhe nëse Partia Demokratike nuk e voton. Dëshira ime si demokrat është që Basha të pranojë konsensusin dhe propozimin e Nuland”, u shpreh Selami.

“Nëse kjo nuk ndodh është plotësisht e mundur që të kalojë në Parlament. Unë jam një prej tyre, deklaroj votën time pro reformës, është votë për Shqipërinë evropiane, kundër korrupsionit, është votë për të ardhmen e Shqipërisë. Mirënjohje Amerikës, ka votën time. Dhe si unë janë mjaft demokratë që deri dje patën mbështetje dhe mbështetën Bashën kurse mbas plotësimit të këtyre kushteve, nuk ka për të pasur mbështetje dhe ky është mendim që mbizotëron në anëtarësinë e PD-së”, shtoi Selami.