Ferizaj

Sekuestrohen rreth 20 mijë euro mall i dyshuar si kontrabandë

By FerizajPress

February 26, 2024

Janë sekuestruar mallra me vlerë rreth 20 mijë euro brenda një automjeti, nga Njësia e TASK FORC-ës -Lindje, e përberë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Siç shkruhet në komunikatën e Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit është vërejtur se kishte të ngarkuara mallra të ndryshme pa fatura, disa nga mallrat ishin të markave tregtare të mbrojtura që dyshohet se janë të falsifikuara si: Nike, Adidas, Louis Vuitton etj.

“Më datë 23.02.2024 ,pas pranimit të një informate se një automjet VË-T5 (furgon) i bardhë me targa vendore dyshohet se është i ngarkuar me mallra të kontrabanduar, ku në bashkëpunim me Stacionin për mbikëqyrje kufitare Hani Elezit është identifikuar automjeti i dyshuar, ku drejtuesi ishte larguar nga automjeti”, thuhet në komunikatë.

Policia raporton se njësitet e lartcekura kanë tërhequr automjetin e dyshuar dhe e kanë dërguar në stacionin policor në Kaçanik për identifikim dhe kontrollim, pasi që ishte i ngarkuar me mallra të ndryshme.

“Me datë 26.02.2024 është paraqitur  drejtuesi i automjetit të dyshuar me iniciale (A. G.) i moshës 41 vjeçar nga Ferizaj. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli i kontrabanduar sekuestrohet dhe dërgohet në Terminalin doganor për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet tutje në komunikatën e policisë.