Ferizaj

Sejdiu akuzon deputetët e opozitës për mosmbrojtjen e të drejtave të veteranëve

By FerizajPress

June 15, 2022

Pas miratimit në lexim të parë për Projektligjin për pagën minimale, Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar një protestë gjithëpopullore për nesër.

Kryetari i OVL-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, tregoi për organizimin e nesërm, i cili i ftoi edhe qytetarët t’iu bashkëngjiten protestës.

“Gjendja socio-ekonomike e veteranëve është mjaft e rëndë, pasi që mezi mbijetojnë me 170 euro në muaj”, tha Sejdiu në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ne kemi vendosur që nesër të nisemi nga ora 10:oo, kemi bërë marrëveshje me një transportues, do të takohemi te palestra sportive ‘Bill Clinton’ dhe do të nisemi me dy autobusë. Janë të mirëseardhur edhe qytetarët tjerë”.

I pyetur për llojin e protestës, Sejdiu tha se nuk e kanë diskutuar, duke folur edhe për protestën e 6 qershorit, ku disa veteranë tentuan të hyjnë në objektin e Kuvendit.

“Në protestën e 6 qershorit, kemi vendosur që protesta të jetë kryesisht paqësore, megjithatë, disa veteranë i kaluan kërkesat tona dhe bënë një hap tutje. Tani nuk e di si do të jetë pasi që nuk kemi diskutuar”, theksoi Sejdiu.

Tutje Sejdiu u shpreh i indinjuar ndaj deputetëve të opozitës, pasi sipas tij, ata nuk po bëjnë më të mirën për të mbrojtur të drejtat e veteranëve.

“Ne jemi të revoltuar, përpos në qeveri, pasi që nuk kemi pritur shumë nga ta, por kemi pritur që partitë opozitare dhe deputetët të jenë më të vendosur rreth mbrojtjes së të drejtave tona, nuk jemi të kënaqur me qëndrimin e tyre, pasi që kemi deputetë edhe nga radhët tona aty dhe ka deputetë që asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për të drejtat e veteranëve. Disa deputetë veteranë në disa votime kanë qenë me votë jashtë interesit të OVL-së dhe veteranëve në përgjithësi”.