Ferizaj

Së shpejti pritet të bëhet tenderimi i projektit “Bashkimi i Qytetit”

By FerizajPress

June 11, 2018

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, gjatë ditës së sotme ka mbajtur konferencë me gazetarë me ç‘rast ka prezantuar arritjet dhe sfidat gjatë kësaj periudhe qeverisëse si dhe projektet kapitale të kësaj drejtorie që shumë shpejt pritet të fillojnë.

Si një ndër projektet më të rëndësishme, sipas drejtorit Bytyqi, është projekti i “Bashkimi i qytetit”, i cili ka një kosto prej 6,000.000 milionë euro.

“Projekti “Bashkimi i Qytetit”, është një ndër premtimet kryesore të Kryetarit z. Agim Aliu dhe ky projekt tashmë po merr jetë në vitin e parë të qeverisjes. Ka përfunduar projektimi detal dhe jemi ne fazën e tenderimit, ndërsa vlera e këtij projekti është rreth 6,000,000 euro, dhe parasheh ndërtimin e nënkalimit për vetura nga rruga “Vëllezërit Gërvalla” deri në rrugën “Madeleine Albright” afër rrethit të spitalit, gjithashtu në kuadër të këtij projekti, do të bëhet edhe vazhdimi i nënkalimit ekzistues nga rruga “Latif Hasani” në rrugën “Emin Duraku” edhe ky është një projekt shume i rëndësishëm që do të lehtësojë lëvizjen e veturave në rrugën “Ahmet Kaqiku”, si dhe do të rris sigurinë e lëvizjes për këmbësor”, është shprehur drejtori Bytyqi.

Drejtori Bytyqi, ka përmendur edhe një varg çështjesh që kanë të bëjnë me këtë drejtori, ndërsa ka veçuar që gjatë këtyre pesë muajve është arritur që të paguhen edhe mbi 4 milion euro borxhe, operatorëve ekonomik.