Kjo pamje e mrekullueshme pritet të vështrohet nga Shtetet e Bashkuara për herë të parë në afro një shekull. E sipas gjasave, kurrë më parë një eklips total diellor nuk do të vështrohet e studiohet me kaq kërshëri.
“Do ta shohim këtë shfaqje me sy të pashembullta”, premton Alex Young, një fizikant i eklipseve diellorë, i cili koordinon arsimimin dhe shtrirjen publike të NASA-s. Dhe festa pritet të shijohet tërësisht nga Oregoni deri në Karolinën e Jugut.
E duket se të gjithë pa përjashtim do të presin me ankth dhe padurim këtë shfaqje që të ofron kozmosi. Astronautë amatorë, qytetarë të thjeshtë, por edhe shkencëtarë.
“Kjo është me të vërtetë një mundësi e jashtëzakonshme për sytë e habitur të publikut”, thotë një fizikante si Angela Des Jardins, nga Universiteti i shtetit të Montanës. Ndërkohë, studentë të shumtë kanë përgatitur balona me videoregjistrues, për të mundur të kapin më nga afër pamjet e eklipsit dhe për t’i kthyer ato në Tokë me të zbritur pajisjet fluturuese.
Edhe satelitët dhe teleskopët e vendosur në Tokë do të drejtohen për nga Dielli dhe nga hija që do të shkaktojë hëna, në një perimetër prej afro 97-113 km. Astronautët do të bëjnë të njëjtën gjë me kamerat e tyre në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Por kjo ngjarje e rrallë do të kapet edhe nga anijet dhe avionët e pasagjerëve, përcjell TCh.
Ky do të jetë eklipsi i parë i plotë i Diellit në 99 vite, që prek Amerikën nga brigjet perëndimorë në ato lindore, e që do të mund të shihet nga të paktën 48 shtete, për herë të parë prej 38 vitesh.