Ferizaj

Së shpejti  asfaltimi i rrugës Babush – Bablak – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë

By FerizajPress

August 15, 2016

Ky është njëri nga projektet më të mëdha të këtij viti në Komunën e Ferizajt.

Drejtoria e Infrastrukturës e Komunës së Ferizajt, ka njoftuar sot për zhvillime të rëndësishme sa u takon projekteve për ndërtimin e rrugëve. Drejtori Gafurr Ilazi, i bëri një përmbledhje punëve që janë bërë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, duke theksuar se deri më 30 qershor 2016, janë shpenzuar mbi një milion e gjysmë euro për investime në infrastrukturë. Ai bëri të ditur se gjatë kësaj kohe janë zhvilluar 63 procedura të prokurimit, janë nënshkruar 51 kontrata, 12 kontrata janë në procedurë të vlerësimit, ndërsa 24 projekte të infrastrukturës tashmë kanë përfunduar. Sipas drejtorit Ilazi, që nga fillimi i vitit, në komunën e Ferizajt janë asfaltuar rrugë në gjatësi afro 8 kolometra, ndërkohë që janë duke u asfaltuar edhe disa rrugë të tjera. Gjithashtu u bë e ditur se tashmë është nënshkruar kontrata dhe së shpejti pritet fillimi i realizimit të njërit prej projekteve më të mëdha në komunën e Ferizajt: asfaltimit të rrugës Babush – Bablak – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë, ndërsa në fazën e vlerësimit është projekti po ashtu i madh për asfaltimin e rrugës Prelez – Muhoc – Lloshkobare. Të dyja këto projekte financohen nga Ministria e Infrastrukturës.