Janë bërë 8 ditë prej se kur Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka hyrë në grevë. Kjo grevë, e cila ka përfshirë gjithë institucionet e arsimit është duke vazhduar edhe përkundër ngritjes së pagave nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, SBASHK po deklarohet se janë unik dhe se greva e tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre,
Kurse, deklaratat e të parit të Qeverisë, Ramush Haradinaj për kompensim të orëve të humbura, Sindikata e Bashkuar e Arsimit po i sheh si tone të larta, dhe se për këtë, nuk mund të vendoset tani.
“Deklaratat e kujtdo qofshin për kompensim të orëve, nuk mund të vendoset tani. Institucionet duhet të angazhohen me ne për një dialog të sinqertë dhe jo me tone të larta. Ne duhet ti ulim tensionet dhe të bisedojmë bashkë dhe të gjejmë një zgjedhje sa më të shpejtë sepse edhe me Ligjin e Grevave kudo në botë por edhe në Kosovë, ditët e humbura nuk kompensohen. Por, për këto do të bisedohet më vonë dhe do të vendosin vetë mësimdhënësit se a do të zëvendësohen ato orë. Varet krejtësisht prej tyre” tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ndërsa, lidhur me vazhdimin e grevës, Jasharaj tha se SBASHK’u nuk vendosë se sa do të zgjasë ajo. Shtoi se i kanë dhënë edhe afat Qeverisë për këtë, porse sipas tij, ajo nuk është marrë seriozisht nga institucionet e vendit.
“SBASHK-u nuk vendosë se sa do të zgjasë greva sepse ne e kemi përmendur sa herë që nga maji e deri më tani duke i dhënë hapësirë dialogut, Qeverisë dhe institucioneve tjera, por ato nuk kanë reflektuar dhe nuk e kanë kuptuar drejtë angazhimin tonë. Madje ne kishim edhe protestë më 28 dhjetor duke e quar edhe alarmin e fundit para grevës së 14 janarit. Institucionet kanë pasur mjaftë kohë që të merren me këto çështje“tha ai.Sipas tij, presionet që po i bëhen SBASHK-ut për ndërprerje të grevës janë të pa rëndësishme, pasi siç tha ai, sindikata është e bashkuar në këtë drejtim.
“Përpjekjet e disa DKA-ve dhe disa komunave që të bëjnë presion dhe të mundohet ta thyejnë grevën po dalin gjithnjë shterpe sepse greva është gjithnjë unike sepse mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit e kanë shpallur vet dhe këtë mund ta mbyllin vetëm ata” përfundoi Jasharaj.Kujtojmë se sot i pari i ekzekutivit, ka paralajmëruar se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës së mësimdhënësve, do të kompensohen. Mes tjerash,përsëriti ai, ligji për pagat tha se do të kalojë deri me datën 31 të këtij muaji.