Lajme

SBASHK: Nesër nuk ka grevë, po e presim themelimin e Qeverisë

By FerizajPress

September 03, 2017

Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se të hënën, më 4 shtator, kur fillon viti i ri shkollor në vend, nuk do të ketë grevë nga mësimdhënësit.

Ai ka thënë se SBASHK’u do të presë fillimisht themelimin e Qeverisë së re të vendit.

“Jemi duke pritur themelimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar shqetësimet e mësimdhënësve. Nuk do të ketë veprime sindikale në fillim të vitit të ri shkollor”, ka thënë Jasharaj për Gazetën Express.

“Pjesët e Kontratës Kolektive jemi duke i diskutuar me Komunat, dhe presim që kërkesat tona të realizohen”, ka bërë të ditur Jasharaj.

SBASHK’u kishte paralajmëruar grevë me fillimin e vitit të ri shkollor, me arsyetimin se institucionet lokale dhe ato qendrore nuk janë duke reflektuar në realizimin e kërkesave të kësaj sindikate.

Dhënia e tri pagave suplementare, dhënia e tri pagave me rastin e pensionimit të mësimdhënësve, pagesa e shujtës prej 2 eurove, si dhe pagesa prej 70% e udhëtimit të mësimdhënësve udhëtarë në arsim janë kërkesat që SBASHK kërkon të realizohen.

Këto kërkesa, sipas drejtuesve të SBASHK’ut, janë legjitime, në bazë të Kontratës Kolektive të Arsimit, e nënshkruar më 18 prill të këtij viti. /Express/