Në vijim të të ashtuquajturit “Proces i Berlinit” i ndërmarrë me nismën e kancelares gjermane, Angela Merkel, është mbajtur dje në Paris takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Të pranishëm në këtë takim ishin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri malazez, Millo Gjukanoviç si dhe zyrtarët më të lartë të Maqedonisë e Bosnje Hercegovinës.
Gjithashtu pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Takimi u drejtua nga presidenti francez, François Hollande, si përfaqësues i vendit mikpritës, ndërsa të pranishëm ishte dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Christian Kern, si dhe ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni, vendi i të cilit do të presë takimin e radhës vitin e ardhshëm.
Takimi i nivelit të lartë, është pjesë e procesit të Berlinit, një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel, për të mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit si dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të tyre evropian.
Në këtë takim u bë një vlerësim i ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjetike).
Po ashtu, u diskutuan dhe u kërkua miratimi i 3 projekteve, ndër të cilat 1 projekt lidhet me Shqipërinë, dhe konkretisht me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat granti i Fondit të Ballkanit perëndimor do të jetë 35 milionë Euro.
Dy projektet e tjera kanë të bëjnë me modernizimin e hekurudhës Nish-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, me një grant 44 milionë Euro, dhe projekti nga Kosova për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant prej 17 milionë Eurosh.
Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor), dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro.
Në përfundim të takimit të djeshëm u nënshkrua edhe marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë.
Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja. Gjithashtu pjesë e marrëveshjes është edhe bashkëpunimi në fushën e energjisë, ku vëndeve anëtare u kërkohet intensivifikim i përpjekjeve për të gjetur burime të tjera të prodhimit të energjisë.
Ndërkohë që Presidenti i Francës, Francois Hollande në konferencën për shtyp pas këtij takimi u shpreh se tregu energjetik ka zënë një pjesë të madhe të axhendës së diskutimeve dhe se vendet pranuan të ecin para.
Po kështu Hollande tha se janë diskutuar disa rregulla për të luftuar emigrimin e paligjshëm.
Nuk ka mbetur jashtë diskutimeve as lufta kundër terrorizmit, që sipas Hollande mbetet ende një sfidë.
Për këtë arsye presidenti francez ka kërkuar bashkëpunim për sigurinë e Ballkanit dhe më gjerë.
.