Ferizaj

Salihaj: Do ta bojkotoj edhe seancën dhe ceremoninë e inaugurimit të Thaçit për president

By FerizajPress

April 05, 2016

Prej 5 deputetëve të LDK-së që bojkotuan seancën e votimit, vetëm Adem Salihaj ka pranur të flasë haptas dhe të deklarohet se do të bojkotojë edhe seancën edhe ceremoninë e inaugurimit të Thaçit për president.

Zgjedhja e Hashim Thaçit president në seancën e 26 shkurtit ishte një ngjarje e cila nuk kaloi pa kundërshtime. Madje disa deputetë opozitarë e kundërshtuan zgjedhjen e Thaçit president me bojkotim të seancës. Por , përveç deputetëve opozitarë seancën e votimit të Thaçit për president e bojkotuan edhe deputetë të LDK-së, si Vjosa Osmani, Anton Çuni, Adem Salihaj, Hatim Baxhaku dhe Shpejtim Bulliqi . Këta pesë deputetë e bojkotuan seancën, por nuk dihet ende nëse ata do të marrin pjesë në seancën e betimit që do të mbahet më 7 prill.

Botapress ka provuar të kontaktojë me këta deputetë të LDK-së por përveç Adem Salihajt, të tjerët nuk janë përgjigjur ose kanë dhënë përgjigje se kjo është çështke e tyre private. “Jo,nuk do të marr pjesë në inaugurimin e një njeriu, për të cilin as nuk kam votuar e as që kam marr pjesë në seancën në të cilën është zgjedhur. Inaugurimi i tillë me pompozitet siç po e bën Thaçi vetëm e fyen dinjitetin e këtij populli. Thaçi deri më tash e ka dërguar Kosovën drejt fundosjes. Për fatin e keq të Kosovës dhe popullit të saj, Thaçi do të vazhdojë t’i bëjë keq Kosovës edhe për disa vite të ardhshme. Të shpresojmë se nuk do jenë shumë ato vite”, është shprehur Adem Salihaj për Botapress.

Ndërkaq deputeti Shpejtim Bulliqi, deputet i LDK-së , i cili poashtu ka bojkotuar seancën kur është votuar Hashim Thaçi president, nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në seancën e betimit të presidentit. I pyetur nga Botapress nëse do ta marrë pjesë apo jo në seancën e betimit të presidentit Thaçi Bulliqi është shprehur se ende nuk ka marrë vendim.”Kjo është çështje personale dhe ende nuk kam vendosur për këtë çështje “, është shprehur Bulliqi.