Ferizaj

Salihaj: S’është koha për zgjedhje, PDK po provokon

By FerizajPress

October 31, 2016

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka thënë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme në Kosovë.

Sipas tij, zgjedhjet e tilla vetëm sa do të shkaktojnë konfuzion më të madh tek qytetarët.

Ai ka thënë se PDK-ja përherë i ka provokuar zgjedhjet e parakohshme, të cilat sipas tij, kanë sjellë vetëm bllokada, por jo zgjidhje.

“Nuk është koha e duhur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme,të cilat përherë i ka provokuar PDK-ja, asnjëherë nuk ia kanë sjellë asnjë të mirë Kosovës, përveç bllokadave dhe tensioneve”, ka thënë Salihaj për Zëri-n.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës duhet të shfrytëzojnë mirë këtë kohë për të menduar se kë dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet e reja.

“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për kohë që të mendojnë mirë dhe të përcaktohen se a duan ta vazhdojnë një pushtet të kapur nga mafia, krimi, korrupsioni i pafund dhe hajnia apo duan një shtet të sundimit të ligjit, të zhvillimit ekonomik e të integrimit në Bashkimin Evropian. Deri më tash qytetarët e Kosovës nuk kanë ditur të vendosin drejt. Zgjedhjet e jashtëzakonshme vetëm sa do të shkaktojnë hutim edhe më të madh tek ata”, ka përfunduar Salihaj.