Lajme

Rusia funksionalizon sistemin raketor që shkel një traktat me SHBA-në

By FerizajPress

February 15, 2017

Associated Press dhe The New York Times ka thënë se Moska në mënyrë sekrete e ka vendosur sistemin që lanson raketa nga toka duke e shkelur Traktatin e nënshkruar më 1987 në Rusinë jugperëndimore.

The New York Times shkruan se Rusia ka dy batalione të këtij sistemi, që është bërë funksional në fundin e vitit të kaluar.

Administrata e Barack Obamës më parë e ka akuzuar Rusinë se ka shkelur traktatin në fjalë, duke testuar raketa. Traktati ndalon raketa balistike që arrijnë caqe nga 500 deri në 5500 kilometra.

Por, presidenti rus, Vladimir Putin e ka mbrojtur sistemin raketor duke thënë se SHBA gjithashtu e ka shkelur traktatin dhe se raketat e reja janë të nëvojshme për mirëmbajtjen e balancit të fuqisë.

Dyshimi mbi shkeljen e traktatit mund të diskutohet kur Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis merr pjesë për herë të parë në një takim të NATO-s, që është paraparë të mbahet sot në Bruksel.

Vendosja e këtij sistemi të ri raketor ka nxitur shqetësime në Kongresin amerikan, ku udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Shërbime të Armatosura, John McCain, e ka quajtur “kërcënim i madh ushtarak ndaj forcave amerikane në Evropë dhe për aleatët tanë të NATO-s”.

McCain ka thënë se koha e vendosjes së këtij sistemi tregon se Putini “po e teston” presidentin, Donald Trump.