Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’ Connell, ka vazhduar me platformën e tij të komunikimit me qytetarët nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve në Facebook.
Një qytetar e ka pyetur O’Connell se korrupsioni në sistemin e drejtësisë a është problemi kryesor i Kosovës.Ambasadori O’Connell, ka përmendur specifikisht një rast si dhe ka shprehur brengën e tij për investitorët nga Britania për shkak të këtij problemi.
“Mendoj që ky është vërtetë një problem, rasti i Emin Beqirit më vjen në mendje, ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija. Ai u shpall i fajshëm nga Gjykata Themelore, dhe është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, për deri sa Gjykata Supreme e sheh si jo të ligjshme, por sigurisht u dënua dy herë dhe zotëri Beqiri nuk vuajti asnjë dënim. Dhe pastaj transferohet dhe nuk largohet nga puna nga ana e policisë, dhe pastaj transferohet në Ferizaj”.
“Unë kam investitor britanik të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe t’ju them ‘mos u brengosni sepse paratë tuaja janë të sigurta në Ferizaj’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: KAPJE E SHTETIT”, ka shkruar diplomati.