Lajme

Rruga “Luan Haradinaj” në kryeqytet 15 ditë e mbyllur për qarkullim

By FerizajPress

July 11, 2016

Komuna e Prishtinës njofton qytetarët se që nga nesër deri më 27 korrik rruga “Luan Haradinaj” do të mbyllet për qarkullim.

“Nga nesër,e martë, më 12 korrik ,rruga ‘Luan Haradinaj’, fillimisht pjesa në mes të rrugës ‘Garibaldi’ dhe ASK (American School of Kosova), e pastaj edhe pjesa në mes të rrugës ‘Garibaldi’ dhe Gjykatës Kushtetuese, do të mbyllet për shkak të zhvillimit të punimeve disa ditore në të nga Ndërmarrja ‘Termokos’”, thuhet në njoftimin e komunës.

Siç njoftohet në kuadër të rehabilitimit të rrjetit të ngrohjes, Ndërmarrja “Termokos” do t’i ndërrojë gypat e vjetruar dhe do t’i zëvendësojë ata me të rinj.

“Punimet do të zgjasin nga data 12 e deri më 27 korrik në të dy pjesët. Gjatë gjithë kësaj kohe, rruga ‘Garibaldi”’ do të jetë e hapur për qarkullim të plotë.

“Transporti Publik, i cili e ka shfrytëzuar këtë segment rrugor do të qarkullojë në rrugën ‘Dritan Hoxha’, djathtas ‘Tirana’, vazhdon në rrugën e UÇK-së dhe anasjelltas”, njofton komuna.

Komuna e Prishtinës fton qytetarët që të kenë mirëkuptim dhe që qarkullimin me automjete ta planifikojnë paraprakisht.