Lajme

Rrezik e pasiguri nga numri i madh i armëve ilegale

By FerizajPress

March 19, 2017

Armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët, që qarkullojnë në Kosovë, thuhet se janë shkaktarët kryesorë për pjesën dërmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimesh që kanë ndodhur.

Në policinë e Kosovës bëjnë të ditur se gjatë vitit 2016 kanë konfiskuar mbi 1300 armë dhe mbi 25 mijë municione.

Por ky numër po konsiderohet i vogël në krahasim me nurin e armëve që ndodhën në duart e qytetarëve e që janë 200 deri në 300 mijë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Punëve të Brendshme dhe Siguri Daut Haradinaj beson se me ligjin e ri për legalizimin e armëve i cili është në proces do të mundësohet grumbullimi më i madh i armëve pa leje.

“Kemi inicu ligjin, tash veç është në proces e sipër që do t’i legalizon dhe evidenton armët dhe në rast se ajo armë ndodhet në një krim të caktum identifikohet personi në shpejtësinë e kohës minimale. Mendoj se shumë shpejt duhet me përfundu kjo histori. Shpresoj se njerëzit do t’i dorëzojnë ato çka nuk ju nevojiten sepse kjo është edhe një lloj amnistie për ata që i dorëzojnë dhe në të njëjtën kohë edhe një evidencë e saktë se kush çfarë arme posedon dhe licencohet për atë armë”, tha Haradinaj për RTV21.

Në Kosovë në korrik të vitit 2015 është miratuar ligji për armët me të cilin personat që posedojnë armë pa leje mund të gjobiten dhe të marrin dënime me burg.

Analistët e sigurisë thonë se institucionet nuk po e zbatojnë si duhet ligjin për armët. Në hulumtime të ndryshme lidhur me armët ilegale në Kosovë thuhet se përveç rrezikimit të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, armët në posedim në posedim të paligjshëm çdo ditë paraqesin rrezik për qytetarët e rëndomtë pasi çdo ditë i ekspozohen përdorimit të armëve edhe në ahengje familjare.