Vetë deputetë nuk e shohin problem nëse politikanët bartin armë, derisa njohës të sigurisë e shohin të panevojshëm.
Bartja dhe posedimi i armëve në Kosovë është bërë shqetësim, duke parë numrin e madh të vrasjeve. Përveç numrit të madh të armëve pa leje që gjenden te qytetarët, një numër i madh është edhe i armëve me leje.
Por, shqetësues është edhe bartja e alltisë në shokë nga personat publikë, siç janë politikanët. Njohës të çështjeve të sigurisë e shohin të panevojshëm që numër i madh i zyrtarëve publikë të bartin armë, përveç ndonjë rasti specifik, por jo të abuzohet me to. Ndërsa, vetë deputetët aktualë nuk e shohin problem që politikanët dhe personat tjerë publikë të mbajnë armë me leje.
Aktualisht janë 400 leje për armëmbajtje
Aktualisht në Kosovë janë lëshuar rreth 400 leje për armëmbajtje, e në këtë numër hyjnë edhe personat publikë që bartin armë. Në një përgjigje për gazetën “Zëri”, zyra për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka thënë se numri i lejeve ndryshon varësisht sipas nevojës.