Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur që mos të ketë shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2021. Tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me 1 prill 2022, kur bëhet rishikimi i rregullt çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e rregulluar (KESCO, KEDS dhe KOSTT).
Ky vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është marrë përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara.
Vendimi i bordit të ZRrE-së për tarifat e energjisë prill 2021- mars 2022 është marrë në muajin tetor e jo siç zakonisht ndodh në tremujorin e parë të të secilit vit, pasi ky institucion ka qenë pa bord funksional deri në muajin gusht.
Të hyrat maksimale të caktuara për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 290.1 milionë euro. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) të hyrat maksimale janë miratuar në vlerë prej 38.94 milionë euro, kurse për KEDS të hyrat maksimale janë miratuar në vlerë prej 90.51 milionë euro.
“Këto të hyra do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ZRrE-ja.
Rregullatori ka treguar se rritja e konsumit të energjisë që rezultuar me rritje të hyrave të KESCO-së ka bërë që mos të ndikohen tarifat e energjisë nga rritja e çmimit të rrymës në nivel global, përkatësisht rritja e çmimit të energjisë së importuar.
“Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve. Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021”, thuhet në sqarimin e ZRrE-së.
Përmes këtij vendimi ZRrE-ja e ka marrë parasysh kërkesën e KESCO-së për rritjen e çmimit të energjisë së importuar. Në arsyetimin e bërë nga departamenti i tarifave të ZRrE-së thuhet se kërkesa e KESCO-së është marrë parasysh për dy arsye: është rritur çmimi i energjisë së importuar, mirëpo edhe është rrit kërkesa për energji.
ZRRE-ja ka thënë se çmimi i caktuar për import të energjisë elektrike në vlerë 90 euro për megavat është marrë me qëllim që të jetë sa më afër kostos.
Vlera e caktuar nga ZRRE-ja është më e ultë se ajo që kishte kërkuar KESCO në komentet e dorëzuara në ZRRE duke kërkuar që çmimi i energjisë së importuar të jetë rreth 95 euro për megavat.
“Përderisa total blerjet nga importi në raportin konsultativ parashihen në vlerë prej 5.6 milionë euro, sipas vlerave të parashikuara gjatë vitit 2020, të dhënat aktuale tregojnë se vetëm për muajt janar-korrik blerjet nga importi kanë arritur në 8 milionë euro, me një çmimin mesatar të realizuar prej 77.23 €/MWh. Në këtë kuptim, Furnizuesi ka përditësuar të njëjtët për të reflektuar koston e saktë të blerjeve nga import dhe kërkon nga ZRRE-ja të reflektoj të njëjtën”, thuhet në komentet e KESCO-së.
Marrë parasysh rritjen e çmimit të energjisë në tregun botërorë, ZRRE-ja ka paralajmëruar se dy vitet e ardhshme mund të kenë ndikim të madh në tregun energjetik të Kosovës meqë në vitet 2022 dhe 2023 janë paraparë të realizohen remonte të disa blloqeve të termocentraleve dhe kjo do të ulte prodhimin vendor dhe do ta rriste sasinë e energjisë që duhet importohet.
Sipas HUPX Hungarian Spot Index në vitin 2019 mesatarja ka qenë 50.36 euro, në vitin 2020 ka qenë 39.00 euro, kurse në vitit 2021 80.91 euro. Ndërsa çmimi mestar i energjisë elektrike në këtë burs nga muaji prill e deri në tetor ishte 102 euro për megavat/h.Rritja e çmimit të energjisë në tregun botërorë ka ndikuar që shumë shtete të obligohen të rishikojnë çmimin e energjisë për konsumatorë.
Madje, Shqipëria e ka shpallur krizën energjetike.
Kryeministri Edi Rama sot pas mbledhjes me ministrat në një deklaratë tha se plani i posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike do bëhet të publik nesër.
“Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën e furnizimit të energjisë elektrike. Vendimi është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse e çmimit në energjisë në tregjet ndërkombëtare. I jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumentet financiare, qoftë me instrument të natyrës administrative. Sot me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër”, tha Rama në një konferencë për media.
Dy ditë më parë, dhjetëra qytetarë protestuan në Shqipëri kundër rritjes së çmimeve.
Në mbledhjen e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është marrë vendim që KESCO t’i furnizojë me energji elektrike universale qytetarët deri më 31 mars 2022, për shkak se nuk janë plotësuar kushtet për liberalizim të tregut të energjisë.
Sipas ZRrE, vendimi për vënien e këtij obligimi është marrë për bazë obligimeve ligjore të Nenit 51 të Ligjit për Rregullatorin për Energji, dispozitat e Nenit 5, 33 dhe 37 të Ligjit për Energjinë Elektrike, dispozitat ligjore të Nenit 5 dhe 6 Rregullës për vendosjen e të hyrave për furnizuesin me shërbim universal, si dhe obligimet që rrjedhin nga kriteret për vlerësimin e konkurrencës në furnizim me energji elektrike ku përfshihen edhe rezultatet e indeksit për matjen e konkurrencës “Herfindahl Hirschman”.
Sipas Rregullës për vendosjen e të hyrave dhe çmimeve për Furnizuesin e Shërbimit Universal, të gjithë konsumatorët finalë shtëpiakë dhe jo-shtëpiakë me qarkullim vjetor prej më pak se dhjetë (10) milionë euro ose jo më shumë pesëdhjetë (50) punëtorë kanë të drejtën e shërbimit universal. Kolektivisht, këta konsumatorë referohen si “konsumatorët e shërbimit universal”