Sport

Rrëfime nga rrënjët e Ronaldos: Sa lot për humbjet, kur portugezin e shitëm për 20 top lecke

By FerizajPress

August 08, 2018

Plus 12 uniforma, të hekurosura dhe të palosura mirë: nevojiteshin “si buka” në fushat e gjelbra të ishullit të Madeiras. Andorinja, etapë fillestare e karrierës së Ronaldos në Funkal, ishte klubi i vogël ku babai bënte kopshtarin dhe magazinierin. Atje ku CR7 fëmijë studionte festimet e para. Qëndroi për dy vite e gjysmë, më pas kaloi te Nacional de Madeira për “një kafshatë buke”. Drejtuesit e Andorinjas u kanë mbijetuar pengjeve: “OK, në një moment të dytë 20 topa dhe 12 uniforma mund të duken një çmim i turpshëm për Kristiano Ronaldon, por ishte vetëm dhjetë vjeç… Askush nuk do e kishte menduar këtë karrierë të jashtëzakonshme”, tregon Rui Santos, presidenti i asokohe i Andorinjës. Sot bën po rolin e presidentit, por te Hunta da Freguesia i San Antonios, organ politik i lagjes ku ka lindur CR7 dhe nuk mendon më për transferimin e pafat: “Mbizotëron krenaria që është rritur këtu: vetëm kur bëri hapa përpara, me transferimin te Junajtid, të gjithë vumë re këtë ‘diamant’ që bën krenar gjithë Portugalinë”, shton. Legjenda tregon që, falë të atit, Kristiano u mor nën moshë, vetëm 7 vjeç. Kushëriri Nunjo luante atje dhe akoma më përpara vëllai Hugo kishte bërë një përpjekje. Më pas u transferua ai djalosh i imët që bëri historinë.

GJITHMONË I PARI – Kristiano i vogël ishte identik me atë të tanishmin: donte të ishte më i miri. Nuk pranonte asgjë më pak se të ishte i pari. Edhe kur ndiqte topin nëpër rrugët e të rrëpira të Kuinta do Falkao në San Antonio, lagjen që kurrë nuk e ka harruar. Ishte i pari që merrte të bërtiturat e zotit Agostinjo, fqinji i shtëpisë: e kërcënonte se do i shponte topin që përfundonte mbi bimët. Flitet që disa herë e bëri, për keqardhjen e Kristianos. Në fund të fundit, Agostinjo ishte më i lumturi kur Ronaldo në 1993-shin nisi të kalonte pasditet në Andorinja: kopshti i fqinjit më në fund shpëtoi. E ndërkaq po lindte miti që sot është i stampuar në muret e klubit: selia është kthyer në një shenjtore të dedikuar Kristianos mes muralesit në hyrje, fotove në kornizë e anekdotave të shpërndarë të atyre që kanë parë fillesat 25 vite më parë. “Argëtohu, luaj në cilin rol të duash”, i thanë dhe ai u vendos në sulm: topin e pasonte vetëm nëse ishte “jetësore”. Disiplina erdhi më pas, kur Sportingu e transferoi në Lisbonë.

“BLETËZ” – Rikardo Santos, djali i presidentit, në atë kohë ishte shok me CR7-ën, edhe pse me më pak ambicie: të dy bisedonin dhe qeshnin teksa dilnin nga shkolla, shpesh shkonin së bashku nëpër festa datëlindjesh. Ndërsa në fushë, Rikardo improvizohej në mesfushë, kurse Kristiano “tërbohej” në sulm. “Vraponte trefish, godiste me të dyja këmbët, e shihje kudo: e thërrisnin ‘abelinha’ (‘bletëz’) sepse gumëzhinte”, kujton sot. Ekziston një foto e skuadrës së tyre të fëmijërisë me fanellë blu, të gjithë të rreshtuar si të mëdhenjtë: Santos mban në dorë një kupë të porsafituar, Ronaldo ngërdheshet përkrah të atit. Po, në atë kohë nuk i dashuronte (ende): gjithçka që nuk lidhej me topin konsiderohej humbje kohe. Ndërsa, në fushë tentonte gjithmonë spektaklin dhe sfidonte djemtë më të mëdhenj: 12- vjeçarët grindeshin vetëm për ta pasur me vete në betejë. Zakonisht Kristiano mbështetej te shpejtësia për t’u shpëtuar dyluftimeve më të ashpra, por në një rast, kundër rivalëve të egër të Estreito de Kamara de Lobos, diçka shkoi keq. Frikë për trajnerin Karlos Faria, i pari që po i jepte formë talentit të Ronaldos: “Po fitonim 3-0 në fund të pjesës së parë me një tripletë të tij: dukej ‘Speedy Gonzales’ (personazh i filmave për fëmijë) me top, kishte dhunti teknike superiore. Më pas një kundërshtar, shumë më i madh, e nxori jashtë fushe: dëmtoi kokën dhe shkuam në spital. Pa të humbëm 4-3, por Kristiano ra në sy të Nacionalit”.

LOT DHE KRENARI – Ishte një “solist”, Kristiano i vogël. I vendosur, por qante lehtësisht. Sipas Duarte Santos, sot president i Andorinjës dhe vëllai i kreut të asaj kohe, kishte edhe pseudonimin “Chorao” (“qaraman”): “Nëse dikush nuk i pasonte topin apo nëse humbiste ndeshjen, Ronaldon ishte vështirë ta ngushëlloje”. Edhe shoku i skuadrës Rikardo ka kujtime të ngjashme: “E shikoni edhe sot: kur humbet, irritohet. Gjithmonë ka qenë kështu, special. Një dëshirë e jashtëzakonshme e ka përmirësuar. Kujtoj, megjithatë, që mamasë së tij ato reagime nuk i pëlqenin aspak… “. Pikërisht ajo, Dolores Aveiro, gruaja më e rëndësishme e jetës së CR7-ës, zgjodhi ta dërgonte te Nacionali: “Babai do kishte preferuar CS Maritimon, por mamaja ka thënë gjithmonë fjalën e fundit”, rrëfen presidenti Santos, ai i “20 topave”. Nga ajo kohë pjesëtarët e Andorinjës nuk kanë pasur kontakte të shpeshta me legjendën e rritur në shtëpi, por Ronaldo i ka dhuruar megjithatë klubit mijëra euro për materiale sportive. Kristiano nuk e ka harruar asnjëherë të kaluarën, ndërsa të ardhmen po nis ta shkruajë tani në “Continassa”. Dhe me mijëra në Madeira do bëjnë tifo për bardhezinjtë me entuziazmin e zakonshëm: “Juvja nuk është një hap prapa, por dy përpara: CR7 do ketë rastin për të pasuruar akoma më shumë karrierën”, shprehet trajneri. “Nuk është në fund të ‘garës’, por në maja dhe kushedi për sa kohë… “, vijon miku i vjetër Rikardo. Madje, sipas miqve tek Andorinja “Topat e Artë” mund të shtohen: ndoshta jo në 20, po pak rëndësi ka.