Ferizaj

ROR: Lëndët zgjedhore – në interes të fëmijëve apo të mësimdhënësve?

By FerizajPress

December 21, 2019

Grupi monitorues i fëmijëve Respect our Rights (ROR) sot ka publikuar analizën mbi përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore në shkolla.

Hulumtimi i grupit ROR është realizuar me zyrtarët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) në komunat Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Fushë Kosovë, Skenderaj dhe Malishevë.

Në njoftimin për media, thuhet se të dhënat e këtij raporti bëjnë pjesë në vazhdën e hulumtimeve paraprake të grupit ROR, të cilat kanë qenë të fokusuara në të drejtën e fëmijëve në arsim dhe të drejtën në vendimmarrje, veçanërisht raporti “Realiteti Ynë” (2015) dhe “Hendeku, kurrikula dhe zbatueshmëria e saj” (2018).

“Bazuar në analizimin e të dhënave, grupi ROR ka vërejtur dallimin mes përgjigjeve të nxënësve dhe zyrtarëve të DKA-së. Nga hulumtimet paraprake të grupit ROR të zhvilluara me nxënës, nxënësit janë përgjigjur se nuk e bëjnë përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore në shkollat e tyre. Përderisa, nga hulumtimi i tanishëm, disa nga zyrtarët e DKA-ve kanë pohuar se nxënësit janë pjesë e përzgjedhjes duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 32/2013. Nga praktika është parë që lëndët zgjedhore organizohen dhe përzgjedhen në atë mënyrë që të plotësohen orët mësimore të mësimdhënësve. Megjithatë, rekomandohet që MASHT-i duhet të monitorojë dhe t’u ofrojë ndihmë DKA-ve, shkollave dhe mësimdhënësve në drejtim të zbatimit të këtij udhëzimi administrativ”, thuhet në komunikatën e ROR.

Sipas ROR, ky hulumtim ofron një pamje të realitetit në sistemin e arsimit dhe atë se si duhet të bëhet përzgjedhja e lëndëve zgjedhore, si propozohen ato, nga kush dhe si (në realitet) përzgjedhen këto lëndë.

Rekomandimet e tjera, sipas ROR, përfshijnë:

MASHT dhe DKA-të duhet të sigurojnë literaturën bazë dhe materialet konkretizuese të nevojshme për realizimin e mirëfilltë të lëndëve zgjedhore;

DKA-të dhe shkollat në bashkëpunim me strukturat e shkollave dhe OJQ-të lokale duhet të realizojnë hulumtime për identifikimin e të metave në lëndët zgjedhore aktuale apo për të parë nevojat dhe interesimet për mësimin zgjedhor dhe të avokojnë tek MASHT për ndryshim/plotësim/ndërrim të lëndëve/moduleve/projekteve zgjedhore në rast nevoje.

Grupi ROR (Respect Our Rights) është grup i përbërë prej 24 fëmijëve nga komunat e ndryshme të Kosovës, të moshave 14-17 vjeç, nga të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Ky grup monitorues i fëmijëve është themeluar nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” dhe “Save the Children” në kuadër të programit “Qeverisja me të drejtat e fëmijëve – Monitorimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”. Grupi ROR, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë dhe ligjeve vendore të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve