Lajme

Rishfaqet Lulzim Zeneli, kritika për pushtetin e opozitën (VIDEO)

By FerizajPress

April 22, 2016

Ishim mësuar ta shohim shpesh në ekranet televizive, mirëpo prej vitesh ai është larguar nga to por edhe nga skena politike. Ish zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli sonte ka qenë i ftuar në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel për të folur për skenën aktuale politike, për LDK-në e Isa Mustafës dhe për shuarjen e LDD-së.

Ai ka kritikuar si LDK-në ashtu edhe PDK-në me udhëheqjen e qeverisë. Kritika ka pasur edhe për veprimet e opozitës sidomos në Kuvendin e Kosovës.

“Fajësia në skenën politike është e dyanshme. Ne e dimë shumë mirë se cili është roli i opozitës në këtë sferë, mirëpo në anën tjetër asnjëherë nuk mund të justifikohen të gjitha ato zhvillime negative të cilat e kanë përcjellë Kosovën”, ka deklaruar Zeneli.

Sipas tij, sot kemi një qeverisje e cila udhëhiqet nga dy fuqitë më të mëdha politike dhe në fakt kjo e ka determinuar edhe lojën politike dhe si rezultat i kësaj është parë edhe nga partitë politike se në aspektin e fuqisë politike përmes numrave në Kuvendin e Kosovës ndoshta nuk mund të arrihet ajo se çfarë synojmë.

“Nëse shikohet konfiguracioni i skenës politike qeverisëse atëherë nuk është pritur më shumë nga qeverisja e Isa Mustafës. Kemi të bëjmë me dy subjekte politike të cilat kanë një rivalitet të vazhdueshëm që nga paslufta dhe në anën tjetër krejt ky kombinim i arritur mes këtyre dy subjekteve ngjason sikur koalicioni është bërë për interesa personale dhe jo mbi bazën e një koncepti politik”, ka thënë Zeneli në emisionin “Kontakt”.

Lidhja mes LDK-së dhe PDK-së i ka dëmtuar të dy subjektet politike, thotë Zeneli, por sipas tij kush është dëmtuar më shumë e kush më pak do të flasin zgjedhjet e ardhshme.

“LDK-ja sot ka ndryshuar anatominë e funksionimit të vet. LDK nga paslufta ka determinuar një orientim politik më ndryshe në raport me sot që kemi”, ka thënë ndër të tjera profesor Zeneli.

Ai kur është pyetur se a do t’i rikthehet politikës ka deklaruar se tash për tash nuk janë pjekur kushtet.

“Unë do ta jap kontributim tim në momente të caktuara kur do të shoh hapësirë të nevojshme për angazhimin tim politik. Momentin kur skena politike e Kosovës do ta përçojë mesazhin e një standardi që do të respektojë një klauzurë vlerash dhe të normave, atëherë besoj që do të këtë hapësirë për shumë të rinj dhe shumë kuadra që të kyçën dhe ta japin kontributin në politikë”, ka deklaruar ai./Tribuna/

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=BnOMPGcrN0k?feature=oembed]