Ferizaj

Riparohet infrastruktura e dëmtuar tek Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj

By FerizajPress

May 19, 2018

Gjatë ditës së sotme janë parë ekipe punëtorësh që po rregullonin hapësirën dhe infrastrukturën e dëmtuar tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj.

Interesimit të portalit Ferizajpress për të mësuar më në detaje këtë aktivitet i janë përgjigjur disa nga banorët e zonës përreth dhe punëtorët e angazhuar në rregullimin e hapësirës dhe infrastrukturës tek Varrzat e Dëshmorëve.

Ata i pohuan gazetarit të portalit tonë se këto rregullime janë të mirëpritura dhe mjaft të nevojshme përshkakun se kohëve të fundit kishte disa dëmtime nga faktorë natyror siç ishin të dëmtuara disa nga ulëset, sheshpushimet, rrjeti i ndriçimit publik, llambat si dhe hapësira e gjelbër. Punëtorët e angazhuar konfirmuan se janë kontaktuar nga Komuna, përkatësisht nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu për të bërë riparimet e nevojshme.

Sot pasdite dhe në mbrëmje, nga rregullimet e bëra Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së kanë marr një pamje tjetër funksionale dhe pa defekte në infrastrukturë pas riparimeve që janë bërë nga mëngjesi i ditës së sotme.

Banorët e kësaj zone, pranë Varrezave të Dëshmorëve falënderuan udhëheqjen komunale me në krye Kryetarin e Komunës, Agim Aliu që përmes këtyre rregullimeve po i kthen funksionalitetin, dinjitetin dhe rregullin kësaj hapësire ku prehen bijtë e bijat më të dashur të kombit.