Ferizaj

Rinia ferizajase vazhdon të shënojë pjesëmarrje të lartë në industrinë e Teknologjisë së Informacionit edhe në kompani me bazë në Amerikë dhe Evropë.

By FerizajPress

August 03, 2022

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, Balton Dërguti, ishte dëshmitar i kësaj të fundit përmes vizitës në kompaninë Incodeks në Ferizaj. Kjo e fundit ka hapur dyert për shumë të rinjë të talentuar, të cilët tani ofrojnë shërbime digjitale për kompani të zëshme jashtë kufijve të Kosovës dhe regjionit.

“Përgjatë kësaj vizite patëm mundësinë të diskutojmë me Drejtorin Ekzekutiv të Incodeks, Partin Imeri, i cili ndau me ne informata rreth arritjes së bashkëpunimit me kompani të huaja, kryesisht të bazuara në Amerikë dhe Evropë. Ky bashkëpunim është i themeluar mbi ofrimin e shërbimeve të ndryshme e inovative në fushën e IT-së, si zhvillimi i produkteve të bazuara në inteligjencë artificiale, zhvillimi i produkteve digjitale e njëkohësisht edhe ofrimi i konsulencës së mëtutjeshme” ka thënë drejtori Balton Dërguti.

Krahas gjithë kësaj, u diskutua edhe rreth mundësive për mbështetjen e zhvillimit profesional të të rinjve vendas. Një gjë e tillë kosolidohet përmes krijimit të ambienteve edukative ku të rinjtë e Ferizajt mësojnë dhe përforcojnë njohuri përkatëse në fushën e IT-së. Vlerësohet se funksionalizimi i Qendrës së Inovacionit në Ferizaj do ishte një faktor shtytës për kualifikimin dhe profesionalizimin e rinisë vendase. Kjo e fundit do të shoqërohej me kuadro më profesionale, dhe nxit mundësi më të mira e të dobishme për po këta profesionistë.

Kompania Incodeks qëndron e gatshme për mbështetjen e një iniciative të tillë me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe mbështetjes së profesionistëve të fushës së IT-së. Përpos mbi 30 inxhinierë softueri tashmë të punësuar, Incodeks pohon se janë të hapur ndaj punësimit të mëtutjeshëm të inxhinierëve ambicioz e të kualifikuar të kësaj fushe.