Ferizaj

Reto A. Mauerhofer nga Baseli ligjëron para studentëve të UShAF

By FerizajPress

January 09, 2018

 

Ferizaj.09.01.2018. Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), e vizituan sot z. Reto A. Mauerhofer (ligjërues në Universitetin e Baselit, konsulent në kompaninë zvicerane konsultuese “Mauerhofer & Partners”, si dhe drejtor i Fondacionit në projektin për veturat e reja në Zvicër) dhe z. Boletin Hasani (biznesmen shqiptar dhe bashkëpunëtor në kompaninë “Mauerhofer & Partners”).

Fillimisht ata u pritën nga rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili i falënderoi për mundësinë që po ua krijojnë studentëve që të përfitojnë nga përvoja e tyre në konsulencë dhe biznes.

“Mundësitë e reja të bashkëpunmimit janë të mirëseardhura. Janë mundësi e mirë për shoqërinë dhe të rinjtë në veçanti, e po ashtu kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë. Zvicra është një vend i respektuar nga ne në Kosovë, por edhe kemi marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer si dy shtete mike”, tha rektori. Z. Mauerhofer u shpreh i kënaqur nga kjo vizitë dhe i mahnitur me punën e stafit dhe të studentëve të UShAF.

Në ligjëratën e mbajtur para studentëve, ai prezantoi veprimtarinë e Kompanisë, si dhe përvojat dhe mundësitë që i ofrojnë për shkëmbim të studentëve dhe stafit akademik.

Po ashtu, z. Hasani u foli studentëve për jetën e tij, përvojat dhe mundësitë që i ofroi shteti zviceran për të.