Ferizaj

Rektori Bajraktari priti Ambasadorin e Shqipërisë, Qemajl Minxhozi

By FerizajPress

May 11, 2016

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, z. Agron Bajraktari ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit të këtij universiteti me universitetet e Shqipërisë.

Me këtë rast, rektori Bajraktari ka falënderuar ambasadorin Minxhozi për kontributin që po jep ai për bashkëpunimin ndëruniversitar, shkencor dhe kulturor, por edhe në të gjitha fushat tjera mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ne jemi dy vende që flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi mundësi bashkëpunimi në të gjitha fushat, bashkëpunim i cili edhe deri më tani nuk ka munguar, por dëshirojmë që edhe ne si Universiteti më i ri publik në Kosovë dhe i vetmi i profilizuar për shkencat e aplikuara të kemi bashkëpunim edhe më të madh me universitetet e Shqipërisë”, tha rektori.

Rektori Bajraktari, theksoi se me ambasadorin Minxhozi ka biseduar edhe për mundësitë e shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve, por edhe për projekte tjera të përbashkëta, një prej të cilave është edhe organizimi i një konference të përbashkët mbi mjedisin, mbi mundësinë e zhvillimit ekonomik, si një treg i madh për dy shtetet tona.

Ndërsa, ambasadori Minxhozi theksoi se edhe arsimi do të shkojë përkrah edhe me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. “Vendet e Bashkimi Evropian e kanë më të avancuar arsimin, sepse financimi dhe mbështetja e arsimit është më i madh”, theksoi ai.

Megjithatë, ambasadori Minxhozi theksoi se gjatë vizitës në UShAF ka parë me shumë interes këtë Universitet, për të cilin tha se ka degë interesante që kanë lidhje drejpërdrejt me zhvillimin ekonomik të vendit, sidmos degët ingjinierike dhe ekonomike, të cilat janë shumë të preferuara.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë ka mbajtur edhe një ligjëratë para studentëve të UShAF, ku ka thënë se po punon shumë që në një të ardhme të mos ketë ambasadorë të Shqipërisë në Kosovë, por këto dy vende të funksionojnë si një i vetëm, por në një kuptim tjetër evropian.

Ambasadori Minxhozi, ndër të tjera, theksoi se megjithëse ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë të zhvilluara sikur të vendeve të zhvilluara, por ato mund të bashkëpunojnë ngushtë në sektorët e ekonomisë, të cilat i kanë të zhvilluara vendet tona, në mënyrë që së paku produktet që mund t’i bëjmë vet, të mos i marrim nga vende të tjera.

Po ashtu, ambasadori tha se mund të ketë bashkëpunim të ngushtë në fushën e bujqësië, të inxhinierisë, të arsimit, të turizmit dhe fusha të tjera. Ai theksoi se duhet të bashkërendojmë forcat që të kemi një ekonomi të përbashkët, të kemi një sukses ekonomik dhe mirëqenie më të madhe.