Ferizaj

Rektori Bajraktari po merr pjesë në Forumin e 12 – të Evropian për Sigurim të Cilësisë në Letoni

By FerizajPress

November 25, 2017

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Sigurim të Cilësisë, Prof. Dr. Bujar Pira, po marrin pjesë në Forumin e 12 – të Evropian për Sigurim të Cilësisë, i cili po mbahet në Universitetin e Letonisë në Riga.

Ky Forum i organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane, ofron një platformë për diskutim, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave midis akterëve kryesorë në sigurimin e cilësisë.

Forumi tre ditorë, me titull “Rëndësia e sigurimit të cilësisë – angazhimi për të ndikuar”, do të kombinoj dikutime të bazuara në praktikë ose në bazë të hulumtimeve që do të zhvillohen në seancat dhe seminaret me prezantime të zhvillimeve aktuale në sigurimin e cilësisë.

Sigurimi i Cilësisë nëse ka për qëllim llogaridhënien apo përmirësimin, duhet të kryhet në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Kjo do të thotë gjetja e mënyrave për t’iu përgjigjur nevojave dhe interesave të akterëve të brendshëm dhe të jashtëm. Forumi i 12-të Europian për Sigurimin e Cilësisë, do të shqyrtojë se si kjo mund të bëhet në praktikë, duke shqyrtuar çështje të tilla si komunikimi, etika dhe koncepti i ndryshimit në Sigurimin e Cilësisë.

Pjesëmarrës në Forum është edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Dr. Ramë Vataj, përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, zyrtarë për sigurimin e cilësisë në insitucione të arsimit të lartë.