Reforma në drejtësi përçan PD-në

By FerizajPress

July 14, 2016

Vendimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha i mbështetur nga deputeti Sali Berisha për të mos e pranuar formulën e kompromisit të propozuar nga Nuland ka hasur në kundërshtimin e disa deputetëve në grupin e PD-së. Astrit Patozi, Arben Imami, Majlinda Bregu dhe Genc Ruli kanë ngritur dyshime nëse “kryeneçësia” që Partia Demokratike po mban ndaj propozimeve të ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi, do të penalizojë të djathtën.

Deputeti Astriti Patozi ka thënë se PD-ja ka pasur qëndrim të luhatshëm sa i përket rolit të ndërkombëtarëve në këtë proces. Ai i ka kujtuar Bashës se ka qenë vetë PD-ja që u ka kërkuar ndërkombëtarëve që të luajnë rolin e garantuesit. Për ndonjë faturë të mundshme nga ky qëndrim i lëvizshëm i PS-së në raport me ndërkombëtarët ka folur dhe deputetja Majlinda Bregu, ndërsa Genc Ruli e ka pyetur Bashën se përse PD-ja ka ndryshuar qëndrim.  Mësohet se pas debateve, ish-Kryeministri Berisha ka lënë mbledhjene grupit parlamentar.

Debatet e plota

Lulzim Basha: Propozimi ynë për formulën e organeve të vetting-ut, në thelb është ai që kërkon Komisioni i Venecias, pa asnjë kërkesë shtesë. PD-ja e konsideron propozimin hibrid si një hap drejt marrëveshjes.

Sali Berisha: Komisioni i Venecias përcakton që roli i ndërkombëtarëve është thjesht vëzhgues i procesit, jo të kenë të drejtën e vendimmarrjes. Kemi diskutuar gjithmonë mbi 3 argumente, moskapjen, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut. Venecia ka si detyrim sovranitetin. Jemi investuar shumë tek amendamenti 88 për moskapjen. A garantohet sovranitetin kur roli i ndërkombëtarëve është përtej vëzhguesit? Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk mund të jenë ekzekutivë.

Astrit Patozi: Duhet të ishim treguar më të matur në qëndrimet tona për rolin e ndërkombëtarëve. Jemi ne që e kemi kërkuar angazhimin e ndërkombëtarëve si garanci. Tani po duket sikur kemi ndryshuar qëndrim. Sjellja jonë politike do të ketë një faturë, të cilën nuk e përcaktojmë ne, por populli dhe ndërkombëtarët.

Genc Ruli: Këtë që thoni ju sot, e kam thënë unë kohë më parë. Përse ndryshuam qëndrim tani? Kjo na ka vënë në një pozicion aspak të favorshëm si në raport me ndërkombëtarët ashtu dhe me qytetarët.

Majlinda Bregu: Në fakt, është për t’u habitur qëndrimi që ka mbajtur PD-ja gjatë kësaj kohe për çështjen e ndjeshme të rolit të ndërkombëtarëve në këtë proces. Kemi qenë ne që e kemi kërkuar që të huajt të jenë pjesë në operacionin ndërkombëtar të monitorimit. Ne nuk mund të marrin kostot e moskoherencës sonë. Drafti ka ndryshuar 90 % me ndërhyrjet tona. Kush na garanton që puna që kemi bërë nga shtatori deri më sot nuk bie poshtë? Jemi identifikuar sikur nuk duam reformën në drejtësi dhe çështja është çfarë ndodh me këtë parti.

Arben Imami: Është më se e vërtetë se nuk kemi treguar koherencë në raport me çështjen në fjalë. Duhej të kishim thënë më përpara se nuk e pranojmë rolin e ndërkombëtarëve. Vendimet e tilla mund të kenë kosto për partinë.

Lulzim Basha: Të gjitha qëndrimet tona kanë rezultuar të drejta. E vërteta është në anën tonë, ashtu si në rastin e dekriminalizimit. Monitoruesit monitorojnë dhe ofrojnë garanci. Venecia ka deklaruar se opozita është garancia e vetme e procesit. Ne kemi respektuar në çdo moment Komisionin e Venecias. Nuk mund të lejojmë që të japim kompetenca kushtetuese duke shkelur kushtetutën. Venecia e ka thënë qartë: monitorim, dhe Partia Demokratike është fare e qartë.

Majlinda Bregu: Çështja është nëse ne e kemi me partnerët ndërkombëtarë apo me Edi Ramën? Në ketë spirale që kemi hyrë çfarë ndodh nëse nuk votohet reforma?

Lulzim Basha: Është e vërtetë që ne kemi vënë në lëvizje dhe kemi mbështetur dhe mbështesim kompetencat më të gjëra dhe më të pakufizuara të Komisionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por jo kompetenca kushtetuese dhe as kuazi-kushtetuese.

Ja propozimi që përjashton ndërkombëtarët nga vetting-u 

“Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni. Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni ad-hoc, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumenteve dhe provave të administruara nga komisioni. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti”, thuhet në propozimin e PD-së.

.