Lajme

Reforma në drejtësi, ja çfarë shkruajnë mediat e huaja

By FerizajPress

July 21, 2016

Ngërçi ku është futur politika shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, nuk është pasqyruar vetëm nga mediat shqiptare, por ka gjetur jehonë edhe në mediat e huaja.

Pak orë më parë, lajmet në shtypin e huaj përshëndesnin arritjen e kompromisit për reformën në drejtësi. Madje disa kujtonin edhe paralajmërimin e ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, se politikanët shqiptarë do të vuajnë pasoja afatgjate të veprimit të tyre nëse e bllokojnë këtë votim.

Ndërsa sot, shtypi ndërkombëtar pasqyron dilemat e zgjidhjes së një ngërçi tejet të zgjatur tashmë. “Associated Press” shkruan: “Paketa e reformës është përgatitur përgjatë 18-muajsh, e sërish, qeveria e opozita shqiptare vazhdojnë të grinden për të”. Ndërkohë në vijim të shkrimit ajo shpjegon se Partia Demokratike i është kundërvënë masave të paraqitura nga qeveria dhe ka paraqitur një kërkesë të re që ka zemëruar Brukselin e Uashingtonin.

Ndërsa “Daily Mail” shkruan: “Shtyhet përkohësisht reforma në drejtësi e Shqipërisë, ndonëse presioni ndërkombëtar e bindi partinë më të madhe të opozitës të pranonte draftin final”.

“Pas një angazhimi 18 mujor të politikanëve, ekspertëve vendas, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, vota konsensuale e 140 anëtarëve të Parlamentit për legjitimitetin e reformës u duk se u bë e mundur të mërkurën, pas arritjes së kompromisit mes qeverise dhe opozitës, por tani është vënë në pikëpyetje”, shkruan DW. Pasojat e një dështimi në arritjen e marrëveshjes i përmend edhe “New Jersey Herald”.