Lajme

“Referendumi” i Shkupit, të dielën

By FerizajPress

December 09, 2016

Gjithçka ndodhi pas “bombave” të majtistit Zoran Zaev, që sfidon pushtetin e kryeministrit Nikola Gruevski, i cili udhëheq prej 10 vitesh. Nën vëzhgimin e madh të Perëndimit dhe të Lindjes, Maqedonia do të mundohet të qartësojë edhe një herë rrugën e saj.

Fushata është mbyllur me mitingje të shumta.

Ziadin Sela, nga Aleanca për Bashkim, ka thënë se tashmë kërkesat e shqiptarëve do të jenë më të fuqishme.

“E dini cila është fitorja jonë kësaj radhe? I kemi detyruar edhe servilët që të mos flasin më për kërkesa, por të flasin për kushte”, tha Ziadin Sela.

Menduh Thaçi i Partisë Demokratike Shqiptare ka thënë se, shqiptarët tani do të jenë faktor edhe më i rëndësishëm.

“Ne bashkërisht, sot nga sheshi i Tetovës po i japim zemër e guxim të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Ne jemi shumë të fuqishëm. Ne kemi Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe Europën”, deklaroi Menduh Thaçi.

Ali Ahmeti, ish-komandanti i UÇK-së dhe udhëheqës i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti që ka qenë në qeveri, u është përgjigjur kritikave të shumta nga sheshi i Gostivarit, duke thënë se do të mbrojë shqiptarët.

“Këtë axhendë kombëtare e mbrojnë vetëm bijtë e devotshëm të dëshmuar se dinë të bëjnë ndryshimin, që ditën të bëjnë dhe të ndërtojnë historinë më të re të kombit shqiptar në trojet e tij autoktone, këtu në Maqedoni”, tha Ali Ahmeti.

Shqiptarët, një gjë e kanë të sigurtë: do të jenë faktor i rëndësishëm i formimit të qeverisë së ardhshme, duke pasur një votë të rëndësishme në duar.

Shqiptarët, këto zgjedhje i presin të ndarë dhe me 5 lista zgjedhore, pavarësisht se mund të humbasin deputetë. Megjithatë, idetë e tyre janë shumë të ngjashme dhe shumica e tyre janë pro integrimit euroatlantik të vendit.

.