Ferizaj

Reçica: Votoni për të hapur rrugën e Kosovës për të ecur përpara

By FerizajPress

March 21, 2018

Deputeti Elmi Reçica, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e projektligjit të marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, theksoi: “ jemi duke pritur për 3 vite për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ky popull ka pritur 96 vite për ta pasur shtetin e vet, në vitin e largët 1912 janë ndarë padrejtësisht këto territore nga trungu shqiptar dhe, të gjitha përpjekjet e të gjitha gjeneratave të gjithë atyre që e kanë dashur këtë vend kanë punuar që Kosova të jetë e pavarur. Mendoj se rëndësia kyçe dhe vendimtare qëndron në atë se ne kemi bërë shtet dhe ne duhet t’i vedosim kufijtë e shtetit. Mali i Zi ka qenë pjesë integrale e Serbisë, Serbia malazezët për kohë të gjatë deri në pavarësi i ka quajtur “Sparta serbe”, “lulja serbe” ose “piemonti serb”, nga vitet 89 e më tutje i ka quajtur “dy sy me një kokë”. Është sukses për ne që Mali i Zi është pavarësuar, po i theksoj kërkesat që ka pasur Mali i Zi nga Brukseli për referundum që të marrin pjesë 50 përqind e qytetarëve dhe 55 përqind e qytetarëve për pavarësinë e Malit të Zi ngase ka pasur shumë kundërshtarë. Mali i Zi e ka realizuar pavarësinë me ndihmën e shqiptarëve dhe kemi parë që Mali i Zi është nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinën e Kosovës. Është moment i rëndësishëm për ta bërë përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, e kemi përcaktuar me Maqedoninë, e kemi problem të vetmin me Serbinë që do të duhej gjithë së bashku të orientohemi kur të vie koha e demarkacionit me Serbinë. Është shumë me rëndësi marrëveshje në mes të dy presidentëve, është marrëveshje në mes të dy burrështetasve, po e përsëris edhe njëherë, pas ratifikimit të kësaj marrëveshje beteja është për argumente, të gjithë kudo që jemi duhet të hidhemi në veprim që të sigurohen argumente lidhur me ndyshimin e vijës së kufirit. Kryeministri Haradinaj e ka thënë qartë dhe drejpërdrejt që është i gatshëm të ballafaqohet me secilën situatë që të sigurojë argumentet dhe mos të japë asnjë ari truall. Ne duhet të jemi bashkë në këtë proces, kjo është më e rëndësishme, ne duhet të mendojmë për qytetarët tanë. Unë e respektoj këtë peticion, kryeministri Haradinaj ka qenë në ballë të këtij peticioni dhe nuk besoj se do të mund të mblidheshin këto nënshkrime pa qenë në ballë të saj kryeministri. Megjithatë, kur po i shoh tash opinionet e qytetarëve, nga dhjetë të anketuar tetë qytetarë thonë votoni demarkacionin për të fituar liberalizimin, votoni për të hapur rrugën e Kosovës për të ecur përpara, kjo është ajo që duhet të na shërbejë neve si orientim”