Ferizaj

Reçica-Vetëvendosjes: Jeni zënë me ‘presh për dore’, kryeprokurori të merret me juve!

By FerizajPress

June 17, 2016

Akuzat e Lëvizjes “Vetëvendosje” në drejtim të anëtarit të kryesisë së PDK-së, Elmi Reçica se ai është i përfshirë në krim të organizuar, ka nxitur reagimin e deputetit nga Ferizaj. Reçica, në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se organet e drejtësisë duhet të merren me çështjen e publikimit të fotos ku shihet ai dhe kryeprokurori i Republikës, Aleksandër Lumezi.

“E kuptojmë plotësisht shqetësimin e “Vetëvendosjes” se është zënë me presh për dore. Është zënë duke fotografuar në mënyrë të paligjshme dhe mendojë se kryeprokurori i shtetit mbase është pjesë e një fotografimi të paligjshëm të jetë pikërisht ai që merret më këtë çështje, të inicioj hetimet Kush guxon në këtë vend, në emër të kujt të fotografoi kryeprokurorin e shtetit një deputet të zgjedhur dhe një kryeinspektor të punës në mënyrë të fshehtë”,  është shprehur ai.

Më tej, deputeti Reçica thotë se krerët e LVV-së po inspirohen në librat e Serbisë, pasi po hedhin akuza pa fakte në drejtim të tij.

“Këto gjëra që janë theksuar dje nga zëdhënësi i Vetëvendosjes (Frashër Krasniqi v.j.) , sigurisht ai jo, por ata të cilët e kanë urdhëruar të prononcohet i ka lexuar në “Bella knjiga” (Libri i bardhë) e  cila është një libër i shërbimeve serbe ku janë të përfshirë secili shqiptar i Kosovës që ka punuar për vendin e vet, normal ajo i bie që ka punuar kundër Serbisë, ndërsa realiteti është krejtësisht tjetër”, ka thënë ai, duke shtuar se deri më tani është dënuar tri herë, por nga koha e para luftës.

“Jam dënuar një herë si i burgosur politik në vitin 1986 me 11 vite, jam dënuar në mungesë në vitin 1998 më 15 vite burg dhe 1996 për kundërvajtje për shkak të organizimit të flakës së janarit. Gjërat e tjera janë sigurisht pjesë e asaj që kamë thënë dje në Kuvend dhe i kam thënë publikisht duke i parë në sy janë pikërisht angazhimet e njerëzve të liderëve të Vetëvendosjes që duan në forma të tilla duke bërtitur në autobus “kapeni hajnin” dhe në të vërtetë ata janë vet udhëheqës të krimit”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së poashtu ka folur edhe për raportet e tij me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi. Ai thotë se ka raporte të mira me persona të profesioneve të ndryshme. Mirëpo, ai thotë se është partia e Visar Ymerit ajo që nuk ia donë të mirën Kosovës.

“Unë i njohë gjysmën e Kosovës dhe brenda ditës sigurisht që i takoi me dhjetëra mos më shumë dhe në mesin e tyre ka njerëz që janë të profesioneve të ndryshme ka njerëz që janë të angazhuar në punë të ndryshme, por ata janë qytetarë të lirë të këtij vendi dhe krejt përpjekja që është bërë e qytetarëve të Kosovës dhe e imja personale ka qenë që të mos shikohet kush me kënd të takohet, por kush çfarë bënë dhe si bënë. Ja që dihet kush i bënë punët e këqija, dihet kush e shkatërron pronën e Kosovës, dihet kush dëshiron dhe ja ka vu flakën Kosovës dhe dihet kush i ka veprimet të cilat janë të kundërligjshme”, ka thënë ai. /Indeksonline/