Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Kosovës, Elmi Reçica, ka bërë të ditur se ka marrë përgjigje nga homologia franceze, Elisabeth Guigou, Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës.
Bazuar në këtë përgjigje, Reçica ka shprehur bindjen se së shpejti autoritetet e drejtësisë franceze do të nxjerrin një vendim meritor për lirimin e ish-Kryeministrit z. Haradinaj.
“Sapo pranova përgjigjen përmes komunikimit diplomatik, nga znj. Elisabeth Guigou, Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, lidhur me shqetësimin tonë për të cilin iu pata drejtuar ditë më parë për ndalimin e padrejtë të z. Ramush Haradinaj. Duke qenë thellësisht i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e z. Ramush Haradinaj lidhur me rolin e tij në Luftën Çlirimtare, mbi këtë bazë presim që të korrigjohet ky gabim dhe besojmë që sa më shpejtë autoritetet e drejtësisë franceze do të nxjerrin një vendim meritor për lirimin e ish-Kryeministrit z. Haradinaj. Me këtë rast, njëherit dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen dhe respektin znj. Guigou për interesimin e saj mbi çështjen e z. Haradinaj, po ashtu besojmë se marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes Kosovës dhe Francës do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej” ka shkruar Reçica.