Ferizaj

Reçica merr mbështetje nga Leskaj për Integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

By FerizajPress

February 11, 2017

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj priti në një takim një delegacion të Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Duke i uruar mirëseardhjen, Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj, theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy Kuvendeve, tashmë i shtrirë edhe në nivelin e komisioneve parlamentare, duke e cilësuar këtë si një bashkëpunim strategjik. Nënkryetarja e Kuvendit vlerësoi edhe qëndrimet e Kosovës ndaj situatës së tensionuar që u krijua në veriun e Kosovës, ku theksoi se pala kosovare ka ndjekur një politikë të pjekur në çështjen e trenit dhe të murit në Mitrovicë.

“Së pari dua të them që qëndrimi i mbajtur nga Kosova në të gjitha çështjet e fundit, sidomos në rastet e provokimeve, qoftë në rastin e provokacionit me trenin, apo qoftë në rastin e murit në Mitrovicë, dhe sidomos edhe në rastin e z. Haradinaj, kanë qenë qëndrime të një vendi të pjekur, të një politike të pjekur, të një politike në standardet e një vendi evropian. Sepse ne e dimë që dhe vende të tjera kanë probleme, por qëndrimet e shtetit të Kosovës kanë qenë vërtet qëndrime shumë të vlerësueshme”, u shpreh Leskaj.

Pjesë e diskutimit në takim ishte edhe çështja e integrimit të Kosovës në proceset euro-atlantike. Lidhur me këtë, znj. Leskaj nënvizoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit rajonal dhe dialogut politik.

“Bashkëpunim rajonal është shumë i rëndësishëm, është thelbësor. Ne duhet të integrohemi si rajon, dhe kjo i hap rrugën në integrimin në BE, por edhe në strukturat e tjera euroatlantik”,- theksoi Leskaj.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Kosovës për Politikën e Jashtme,  Elmi Reçica, falënderoi Leskaj për pritjen e ngrohtë duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ajo ka luajtur në plotësimin e të drejtave të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Për ne është me shumë rëndësi që po pritemi nga ju si Nënkryetare e Parlamentit, e njëkohësisht si kryesuesja në delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo periudhë nuk ka qenë shumë e favorshme për ne, por ju na keni mbështetur shumë dhe falë kësaj kemi pasur shumë suksese për të qenë një delegacion aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pavarësisht pengesave që ka tentuar të bëj Serbia”,- tha Elmi Reçica.

Në këtë drejtim, Valentina Leskaj e cilësoi të rëndësishme miratimin e rezolutës një vit më parë, që ngre nivelin e marrëdhënieve të KiE me Kosovën, duke garantuar mbështetjen e delegacionit shqiptar edhe në të ardhmen në të gjitha organizatat e tjera, sidomos në fushën e integrimit evropian.

“Ne e kemi thënë dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë modestisht në të gjithë ato fusha ku ne kemi mundësi të kontribuojmë, si Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, pasi ne e kemi kaluar një eksperiencë, por edhe për të bashkëpunuar për integrimin në nisma dhe organizata ku Kosova është në proces.

“Siç e thatë edhe ju, Serbët e kanë rritur agresivitet e tyre në KiE edhe për faktin se rezoluta që ne arritëm të miratojmë vitin e kaluar, i preku shumë, por natyrisht që ne duhet të vazhdojmë të bëhemi më të fortë me argumentet që kemi në të drejtën tonë”,- tha znj. Leskaj.