Lajme

Reçaku përkujton bijtë e vet (Foto)

By FerizajPress

January 14, 2017

Bora ka mbuluar çdo gjë, rrugët, kulmet e shtëpive, kurse kodrat i ka bërë njësh nga bardhësia. Por në Reçak gjurmët e një prej masakrave më të mëdha ndaj shqiptarëve nga forcat serbe mbeten të freskëta nëse jo tek institucionet, por tek ata që përjetuan këtë tragjedi. 45 varret e të vrarëve nga forcat serbe, 17 vjet më parë, kanë “nxjerrë kokën” mbi borë. Reçakasit herë të mbledhur tek njëri-tjetri e duke pritur dhe mysafirë në shtëpitë e tyre po rikujtojnë me dhimbje ditën e 15 janarit të vitit 1999, kur forcat ushtarake e paraushtarake serbe vranë dhe masakruan djemtë dhe burrat e fshatit, mes të cilëve edhe një grua.

Imer Imeri, 83-vjeçar, rrëfen për ditën kur serbët para syve të tij ia vranë djalin 24-vjeçar, Hakipin. Ai tregon fotografinë e djalit teksa e shikon me dhimbje dhe dashuri, duke folur sesi i biri kishte ëndrra për jetën, por ia prenë në gjysmë duke e vrarë në moshën më të mirë.

Edhe në trupin e tij ka gjurmë të maltretimit nga serbët. Ata e kishin qëlluar sidomos pas kokës. Një gungë e madhe në kokë i ka mbetur prej atëherë që e kanë qëlluar. Si i mbijetuar i masakrës dhe dëshmitar i krimit ai thotë se serbët hynë nëpër shtëpi dhe nxorën nga shtëpitë djemtë dhe burrat.

“Kemi qenë në shtëpi, më morën mua, djalin dhe 24 të tjerë dhe bashkë me burra e djem të tjerë të fshatit na dërguan përpjetë në kodër, kurse armët na i vunë pas shpine”, thotë derisa rrëfen sesi deri tek ekzekutimi i tyre serbët qeshnin dhe i shanin./ZERI.INFO/